Google ADS

“Nuk na e vendosi Asociacionin kusht”, deputetja e Vetëvendosjes zbulon bisedën Kurti-Macron

23:13 | 29 Prill 2024
E.G

Gjermania ndan të njëjtin qëndrim me Francën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që marrja e hapave konkretë për formimin e asociacionit lidhet me pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Këtë e ka konfirmuar kancelari Olaf Scholz, pas një bisede telefonike me kryeministrin Albin Kurti.

“Kancelari nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet e Kosovës, gjë e cila shkon edhe në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, lexohet në një njoftim të kancelarit gjerman.

Kryeministria e Kosovës konfirmoi se Kurti dhe Scholz biseduan për pranimin në Këshillin e Evropës, me theksin tek fakti që opinioni i miratuar nuk vendos kushte për pranimin e Kosovës.

Kryetarja e komisionit të jashtëm në Kuvendin e Kosovës, Arbëreshë Kryeziu, konfirmon për A2 CNN se nga telefonata e Kurtit me Presidentin Macron nuk është folur për asociacionin si kusht për votën në Këshillin e Evropës: “Telefonata e kryeministrit Kurti me Presidentin Macron ishte e zakonshme, një diskutim për atë se çfarë mund të ndodhë, por jo një lloj kushti që nuk mund të lëvizësh nëse nuk arrihet kjo”.

Por, analistët i lexojnë ndryshe këto thirrje franceze dhe gjermane. Artan Muhaxhiri shprehet: “Kërkesat janë të qarta, askush nuk e kërkon themelimin e Asociacionit që tani, por kërkohet një hap substancial drejt themelimit. Mendoj se pa plotësimin e kësaj kërkese nuk besoj se do të ketë fund të lumtur për anëtarësimin e Kosovës në KiE”.

Votimi i fundit pranues në Këshillin e Evropës për Kosovës pritet që të bëhet më datë 16 maj.

Të ngjashme