Osmani takon ambasadoren Peneveyre, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

20:18 | 29 Prill 2024
E.G

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren e Shtetit dhe Shefen e Divizionit për Evropë dhe Azi në Departamentin Federal për Punë të Jashtme në Konfederatën Zvicerane, ambasadoren Muriel Peneveyre.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare, si dhe për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin Kosovë-Zvicër, shkruan Arbresh.info.

Me këtë rast, theks i veçantë është vënë po ashtu në zhvillimin dhe progresin e Kosovës në fusha strategjike, ndërsa Ambasadorja Peneveyre vlerësoi lartë edhe angazhimin e Presidentes Osmani drejt avancimit të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe fuqizimit të grave dhe vajzave në përgjithësi.

Ndër të tjera, Osmani potencoi në veçanti raportet e shkëlqyera në mes të dy shteteve, ndërsa shprehu rëndësinë e thellimit të mëtejme të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se mërgata shqiptare vazhdon të jetë një urë e fortë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe se ka potencial të jashtëzakonshëm për forcimin e mëtejmë të partneritetit bilateral.

Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit zviceran ndaj Republikës së Kosovës, përfshirë edhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke vënë theksin në impaktin e drejtpërdrejt që ky anëtarësim do të kishte në fuqizimin e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë, si dhe sundimin e ligjit./Arbresh.info/

Të ngjashme