Shkodër, lëndë shpërthyese në banesën e një gjyqtari

19:31 | 28 Prill 2024
E.G

Banesa e gjyqtarit Tonin Sterkaj në qytetin e Shkodrës u trondit në orët e para të së dielës nga shpërthimi i një sasie tritoli. Sipas policisë vendore, ngjarja ndodhi rreth orës 3 e 13 minuta, në portën e banesës se gjyqtarit, në lagjen “Tom Kola” të qytetit, në kohën kur ai ndodhej në banesë së bashku me familjen.

Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme të pakta materiale. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person duke vendosur lëndën shpërthuese, por pa arritur ta identifikojnë. Policia vijon kontrollet në zonë, ndërsa një grup hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Magjistrati Tonin Sterkaj është gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Zëri i Amerikës kontaktoj me gjyqtarin Tonin Sterkaj, i cili pohoj se ngjarja dyshohet se ka lidhje me ushtrimin e detyrës së tij si gjyqtar. Gjyqtari Sterkaj tha se, gjatë 30 viteve të karierës së tij si gjyqtar, nuk ka pasur ndonjë konflikt me persona të tjerë.

Në lidhje me gjarjen reagoi sot edhe Keshilli i Lartë i Gjyqësor, i cili, përmes një dekarate, përcjell shqetësimin për këto akte që cënojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e cilësoi ngjarjen si një akt kriminal dhe i kërkoi organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Edhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shprehu mbështetjen për gjyqtarin Tonin Sterkaj dhe familjen e tij dhe kërkoi nga organet kompetente të zbardhin sa më parë atë që ai e quan “akt të shëmtuar prej burrecakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë”./voa/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme