Pse janë të rëndësishme zgjedhjet për Parlamentin Evropian

14:25 | 27 Prill 2024
K.B

Qytetarët e Bashkimit Evropian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për t’i zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vjetët e ardhshme.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?
Parlamenti Evropian është njëri prej tre institucioneve kryesore të BE-së që e udhëheqin bllokun e 27 vendeve.

Së bashku me qeveritë e BE-së, ai vendos për ligjet në lidhje me politikat e përbashkëta evropiane dhe për tregun e BE-së që ka gati 450 milionë njerëz.

Ndikimi në politikat kyçe

Parlamenti do t’i ndryshojë politikat vendimtare të identifikuara nga liderët e BE-së si prioritete për pesë vjetët e ardhshme:

Kalimi i BE-së në emetimet neto zero të gazeve serrë deri në vitin 2050
Politika industriale për ta mbajtur BE-në konkurruese kundër Kinës dhe Shteteve të Bashkuara

Një union i BE-së për energjinë, për uljen e çmimeve të energjisë dhe për ta bërë më stabil furnizimin me energji

Një Union i Tregjeve të Kapitalit për të ndihmuar në mobilizimin e parasë private

Rritja e kapaciteteve të prodhimin në industrinë e mbrojtjes së BE-së

Ndikimi në pozitat kryesore në BE

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ketë ndikim edhe mbi emërimin e presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian, i cili është degë

ekzekutive e bllokut që ka pushtet ekskluziv për të propozuar ligje të reja të BE-së.

Derisa ende nuk ka kërkesë formale për një gjë të tillë, grupi politik që i fiton zgjedhjet do ta ketë argumentin më të fuqishëm se presidenti i ardhshëm i Komisionit duhet të vijë nga radhët e tij.

Ndikimi mbi paranë
Parlamenti i ardhshëm Evropian do të vendosë së bashku me qeveritë e BE-së për buxhetin e ardhshëm të BE-së për vitet 2028/2034, i cili tani për tani është rreth 1.1 trilion euro.

Buxheti i mandatit të ardhshëm afatgjatë mund të rritet dhe natyrisht do të duhet të ndryshohet në lidhje me prioritetet e shpenzimeve, për ta marrë parasysh zgjerimin e mundshëm të BE-së për pranimin e Ukrainës, Moldavisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndikimi mbi ndryshimin e BE-së në të ardhmen
Zyrtarët dhe qeveritë e BE-së thonë se blloku duhet ta ndryshojë politikën e brendshme bujqësore dhe mënyrën se si i mbështet anëtarët e vet, në mënyrë që t’i baraspeshojë standardet e jetesës në gjithë bllokun, para se të pranojë vende të tjera, posaçërisht të mëdha, siç është Ukraina.

Shumë thonë gjithashtu se BE-ja duhet ta ndryshojë edhe mënyrën se si i merr vendimet duke e zvogëluar nevojën për njëzëshmëri, nëse i bashkohen më shumë vende.

Nëse reforma të tilla propozohen në pesë vjetët e ardhshme, atëherë Parlamenti do ta ketë një rol vendimtar në ndryshimin e tyre./rel

Të ngjashme