Ish-botuesi i revistave tabloid David Pecker i tha jurisë në gjyqin penal në Nju Jork të ish-presidentit Donald Trump se i pati paguar 150 mijë dollarë një modeleje të revistës Playboy për të blerë të drejtën e publikimit të pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump. Ai tha se synonte ta eliminonte këtë histori “për të ndihmuar kandidatin për president” në zgjedhjet e vitit 2016, i cili ishte njëkohësisht edhe një mik i hershëm i tij.
Gjatë pyetje-përgjigjjeve që zgjatën mbi tre orë, avokati i ish-presidentit Trump, Emil Bove, u përpoq të ngrinte dyshime rreth kujtesës së zotit Pecker për mënyrën se si e ndihmoi zotin Trump.
Zoti Pecker, dikur botues i revistës “The National Enquirer”, pranoi disa herë se dëshmia e tij e dhënë gjatë katër ditëve të marrjes në pyetje këtë javë, nuk dallonte shumë nga intervistat që pati me hetuesit disa vite më parë. Në shumicën e rasteve sidoqoftë, zoti Pecker refuzoi kritikat që i bëheshin nga avokati Bove.
Por zoti Pecker u shpreh dakort me qëndrimin e avokatit Bove se pagesa për Karen McDougal, e shpallur Modele e Vitit 1998 e Revistës Playboy, ishte më shumë se një përpjekje për të siguruar heshtjen e saj për marrëdhënien me zotin Trump për ta fshehur këtë informacion nga votuesit tetë vite më parë.
Kompania American Media Inc., kompania mëmë e revistës Enquirer, publikoi 65 artikuj të zonjës McDougal në lidhje me shëndetin, që ishin shkruar në fakt nga persona të tjerë dhe që u reklamuan në faqet e para të revistave të kësaj kompanie.
Kur avokati mbrojtës përfundoi pyetjet për zotin Pecker, 72-vjeç, prokurori Joshua Steinglass përmendi me shpejtësi marrëveshjen e nënshkruar nga kompania American Media me autoritetet federale për të shmangur ngritje akuzash për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave nëpërmjet pagesave për zonjën McDougal.
Në marrëveshje thuhet se “qëllimi kryesor” kishte qenë “heshtja e historisë së modeles që të shmangej kështu ndikimi tek zgjedhjet”.
Zoti Pecker ishte shprehur gjatë dëshmive të tij katërditore se shfaqja e artikujve në revistat në pronësi të kompanisë American Media ishte “për të mbuluar qëllimin e vërtetë. Qëllimi real ishte të merreshin të drejtat përgjithnjë për historinë e saj, në mënyrë që të mos publikohej” ndonjëherë.
Zoti Pecker i pati thënë të enjten jurisë me 12 anëtarë se e besonte historinë e zonjës McDougal për lidhjen me zotin Trump, megjithëse ai e ka mohuar këtë.
Zoti Pecker tha në dëshminë e tij se zoti Trump dëshironte ta mbante larg votuesve historinë me të dhëna të dëmshme përpara kandidimit të tij të suksesshëm për president në vitin 2016.
Zoti Pecker dëshmoi se ai i pati thënë zotit Trump se duhet “ta blinte historinë dhe ta hiqte nga tregu”, por se revista e realizoi këtë në vend të tij. Zoti Pecker tha se revista mendonte se do të rimbursohej për këtë, por se kjo nuk ndodhi ndonjëherë.
Një tjetër dëshmitare ishte Rhona Graff, ndihmëse e hershme ekzekutive e zotit Trump në kompaninë e pronave të patundshme “Trump Organization”. Ajo u tha anëtarëve të jurisë se e kishte parë njëherë zonjën Daniels në katin e 26-të të Kullës Trump, ku gjendet zyra e zotit Trump.
Zonja Graff, në moshën 34-vjeçare, konfirmoi për prokurorët se emri i zonjës McDougal dhe emri “Stormy” ishin në regjistrat e hyrjeve në kompani.
Pas dëshmisë së saj të shkurtër, zoti Trump u ngrit nga vendi i tij tek tavolina ku qëndron i akuzuari dhe e përshëndeti zonjën Graff ndërsa ajo po largohej nga salla, duke i dhënë shkurtimisht edhe dorën.
Ndërsa gjyqi po mbyllej për këtë javë, prokurorja Rebecca Mangold filloi të marrë në pyetje një dëshmitar të tretë, Gary Farro, një bankier që thotë se ndihmoi Michael Cohen-in, ish-avokat dhe ish-ndërmjetës i zotit Trump, që të hapte një llogari bankare për të lehtësuar bërjen e pagesave për zonjën Daniels.
Zoti Farro tha se zoti Cohen transferoi para nga fondet e tij për të bërë pagesat. Prokurorët thanë se zoti Cohen u rimbursua në vazhdim nga zoti Trump në vitin 2017, pasi ishte bërë president. Këto janë edhe transfertat në thelbin e akuzave të ngritura ndaj ish-presidentit.
Zoti Trump ka mohuar versionin e zonjës McDougal dhe të 34 akuzat me të cilat përballet në çështjen penale në Nju Jork, që është një ndër katër çështjet gjyqësore të çelura për herë të parë në histori ndaj një ish-presidenti amerikan.
Zoti Trump ka mohuar edhe të 54 akuzat e tjera ndaj tij, por çështja gjyqësore e Nju Jorkut është ndoshta çështja e vetme që mund të përmbushet përpara zgjedhjeve për president që mbahen më 5 nëntor. Sipas anketimeve në rang kombëtar, disa prej mbështetësve të zotit Trump mund të ndryshojnë qëndrim në rast se ai dënohet.
Nëse gjendet fajtor në Nju Jork, zoti Trump mund të dënohet me kusht, apo deri edhe me katër vite burg.
Zoti Pecker tha se gjatë një bisede në vitin 2016, zoti Trump e kishte përshkruar zonjën McDougal si “një vajzë e mirë”, duke i krijuar përshtypjen se “e njihte atë”.
Një vit më vonë, kur zoti Trump, ishte bërë tashmë president, zoti Pecker tha se zoti Trump e kishte pyetur ndërsa ecnin në Shtëpinë e Bardhë se “si është Karen?”. Zoti Pecker tha se iu përgjigj se ajo ishte mirë. “Po qëndron urtë”, kujtoi ai t’i ketë thënë ish-presidentit Trump./VOA
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...
Albin Kurti takon Lorik Canën: Vlerësuam rëndësinë e masiviz...
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”