Prokuroria: Trump u përpoq të manipulonte zgjedhjet me pagesat

12:35 | 23 Prill 2024
K.B

Donald Trump u përpoq të ndikonte në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke ndalur publikimin e historive të dëmshme rreth jetës së tij personale, u tha anëtarëve të jurisë prokurori të hënën gjatë gjyqit të parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan.

“Ky ishte një konspiracion i planifikuar dhe i zgjatur për të influencuar zgjedhjet e vitit 2016, për ta ndihmuar Donald Trump-in të zgjidhej nëpërmjet pagesave të paligjshme për të heshtur njerëzit që do të kishin diçka të keqe për të thënë rreth sjelljes së tij”, tha prokurori Matthew Colangelo. “Ishte manipulim zgjedhor, asgjë më shumë”.

Avokati mbrojtës u kundërpërgjigj duke e kritikuar padinë si të pabazë dhe duke sulmuar integritetin e personit dikur të besuar nga Trump, që tashmë shërben si dëshmitari kryesor i akuzës.

“Presidenti Trump është i pafajshëm. Presidenti Trump nuk ka bërë ndonjë shkelje. Prokuroria e Manhatanit nuk duhet ta kishte ngritur fare këtë padi”, tha avokati Todd Blanche.

Deklaratat fillestare paraqitën për jurinë prej 12 personash dhe për publikun e gjerë, dy këndvështrime krejt të ndryshme se si do të zhvillohet kjo çështje gjyqësore, ndërsa në sfond vazhdon gara zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë. Trump është jo vetëm kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane, por edhe i akuzuar në një proces penal, që mund të përfundojë me dënim me burg nëse gjendet fajtor.

Ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan dhe është çështja e parë hetimore nga katër çështjet e ngritura ndaj tij, që arrin deri në gjyq. Në këtë kuadër, prokurorët u përpoqën që në fillim të çështjes të ngrenë rëndësinë e saj, duke thënë se kishte të bënte kryesisht me ndërhyrjen në zgjedhje, të reflektuar tek pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka pasur me Trump.

“I akuzuari, Donald Trump, orkestroi një skemë kriminale për të korruptuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Më pas ai e mbuloi këtë konspiracion duke gënjyer në të dhënat e biznesit të tij në Nju Jork, disa herë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha prokurori Colangelo.

Gjatë gjyqit që mund të zgjasë deri në dy muaj, do të duhet që Trump t’i kalojë ditët e tij në sallën e gjykatës në vend të aktiviteteve të fushatës. Ai u ankua për këtë të hënën pasi doli nga salla e gjykatës, duke u thënë gazetarëve se: “Unë jam kandidati kryesor… dhe po përpiqen të më nxjerrin nga pista për këtë gjë. Për pagesat me çek për një avokat”./euronews

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme