Osmani: Serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë

17:52 | 22 Prill 2024
KRG

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të hënën se serbët e Kosovës janë nën presion të Qeverisë së Serbisë, dhe jo asaj të Kosovës.

“Tashmë janë të qarta përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të penguar procesin e integrimit të serbëve në Kosovë, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të fituar kontroll dhe për të përhapur frikë, dhe kështu, njëkohësisht duke minuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të organizuar për të diskutuar raportin gjashtëmujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).

Osmani ka thënë se serbët e integruar në institucionet e Kosovës janë detyruar të japin dorëheqje për shkak të presionit të kryer prej strukturave ilegale serbe, sulmeve në pronat e tyre, shkatërrimin dhe rrezikimin e jetëve të tyre, me vetëm një qëllim: t’i detyrojnë ata të ikin.

“Vetëm imagjinojeni një politikan serb që ka vendosur lule para varrin të një vajze shtatëvjeçare gjatë kohës së luftës, i cili është arrestuar menjëherë dhe është torturuar në burgjet e Serbisë”.

Ky, sipas saj, është fati i çdo serbi që nuk është në linjë me qëndrimet e presidentit serb Vuçiq.

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, vendosi lule mbi varrin e Blerina Jasharit në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ai tha se askush “nuk do të na pengojë të ecim në rrugën e pajtimit, paqes, solidaritetit dhe drejtësisë”.

Nikolla Sandulloviq nga Serbia, është arrestuar më 3 janar të vitit 2024, pak kohë pasi pati publikuar fotografi nga kompleksi memorial në Prekaz, Kosovë.

Ai është arrestuar nën dyshimet “se ka kryer vepër penale të nxitjes së urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar, racor dhe fetar”.

Ndërkohë ai është liruar, por i është konfiskuar pasaporta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai është keqtrajtuar pasi kërkoi falje për krimet e Serbisë./Rel/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme