Kurti u bën thirrje komuniteteve joshumicë të regjistrohen

12:38 | 22 Prill 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje komuniteteve joshumicë të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Përmes një video të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se komunitetet joshumicë janë vlerë e identitet i shtetit.

Sipas tij, shoqëria e vendit është e pasur sepse komunitetet janë pjesë e saj.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është një ndër ndërmarrjet më të rëndësishme për Kosovën.

“Ai nuk është thjesht një shënim statistikor; është deklaratë e fuqishme e identitetit, të drejtave, dhe vendit të secilit qytetar në shoqërinë tonë. Nuk është thjesht një ushtrim burokratik; është mekanizëm përmes të cilit ne formojmë politika dhe ndajmë burime për të siguruar që çdo qytetar, pa marrë parasysh etninë apo besimin, do të marrë mbështetjen dhe shërbimet që i takojnë. Andaj, mos ngurroni, regjistrohuni”, ka thënë ai duke iu referuar qytetarëve të komuniteteve serb, boshnjak, turk, ashkali, egjiptian, rom, e goran.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se në bazë të regjistrimit të popullsisë bëhet ndarja dhe shpërndarja e buxhetit të shtetit. Rezultatet e tij, ka shtuar ai, përcaktojnë politikat sociale dhe zhvillimore të shtetit, investimet në komunitetet tuaja, subvencionet në mbështetje tuaj, programet e shërbimet sociale dhe shëndetësore.

“Vetëm me një regjistrim të plotë e të saktë do të mund ta dimë më së miri se për sa çerdhe e shkolla keni nevojë; se sa hapësira kulturore, rekreative e sportive duhet të planifikohen në shërbim të komuniteteve tuaja; çfarë programe e politika sociale i përgjigjen nevojave tuaja e kështu me radhë. Regjistrimi është dokumentim zyrtar i përbërjes së shoqërisë sonë. Të dhënat e tij pastaj bëhen pasqyrë e politikave tona dhe përgjegjësi e shtetit dhe institucioneve tona. Regjistruesit do të vijnë derë më derë”, ka thënë ai./Arbresh.info/

Të ngjashme