Opozita protestë për dorëheqjen e Veliajt, hidhet molotov para Bashkisë

12:16 | 19 Prill 2024
E.K

Opozita vijon sërish për dorëheqjen e Kryebashkiakut Erion Veliaj, duke hedhur sërish molotov, bojë e mollë para derës së Bashkisë së Tiranës.

Po ashtu, protestuesit kanë tentuar të thyejnë kordonin e Policisë për të hyrë në ambientet e Bashkisë.

Demokratët e përkrahës të tyre janë ngritur për të tretën herë para Bashkisë, në kuadër të arrestimit të disa javëve më parë të disa zyrtarëve të këtij institucioni.

Për mbarëvajtjen e protestës kishte forca të shumta policie që krijuan një kordon të gjatë sigurie.

Po ashtu, në kuadër të zhvillimit të protestës, policia ka njoftuar një bllokim të përkohshëm të trafikut në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Segmenti i rrugës që do të jetë i bllokuar është rreth Bashkisë së Tiranës në bulevardin kryesor. Policia ka rekomanduar si rrugë alternative Unazën e Madhe dhe Unazën e mesme.

Protesta vjen disa javë pas arrestimit të 3 ish drejtorëve të Bashkisë së Tiranës Mariglen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tushe, ky i fundit i arrestuar më herët edhe për dosjen e inceneratorëve, për abuzim me tendera duke favorizuar kompaninë “5D” që vetë drejtonin. Gjithashtu 6 zyrtarë të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.

SPAK pretendon se pronarë indirekt të kësaj kompanie janë dy ish- drejtorët Redi Molla dhe Mariglen Qato dhe kjo kompani rezulton të ketë fituar miliona lekë në tenderat nga institucionet që vetë drejtonin./rtsh.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme