Izraeli përgatit ofensivën, Borrell: Mos e sulmoni Rafah, do të ishte katastrofë

15:27 | 18 Prill 2024
KRG

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord që Izraeli të fillojë operacionin final në Rafah. Marrëveshja e fshehtë është bërë me qëllimin që Tel-Avivi të mos luftojë me Iranin, citojnë mediat e Katarit.

Por Bashkimi Europian është kundër një sulmi në Rafah. Shefi i diplomacisë së BE-së theksoi nga Italia se operacioni do të ishte një katastrofë.

“Mos e sulmoni Rafahun, do të ishte një katastrofë. Në Rafah ka 1.7 milionë njerëz në rrugë pa asnjë mundësi për të mbrojtur veten dhe për të shpëtuar. Ne duhet të mbështesim Izraelin, por duhet të mbani mend se duhet të zgjidhim problemin izraelito-palestinez, duke marrë parasysh të drejtat e palestinezëve”, u shpreh Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.

Në takimin e krerëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, është rënë dakord që të ketë një angazhim më të madh për t’i dhënë fund krizës në Gaza për të zbatuar Rezolutën 2728 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe lirimin e të gjithë pengjeve, si dhe sigurimin e aksesit të plotë, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar të popullsisë civile te ndihmat humanitare.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për përshkallëzimin e situatës midis Izraelit dhe Iranit. Media dhe liderët flasin për një mundësi sulmi mbi Teheranin ose entiteteve të tij në rajon, por pa dhënë një datë të saktë.

Media amerikane ABC News, duke cituar burime zyrtare amerikane thekson se sulmi i Izraelit mund të ndodhë pas përfundimit të Pashkëve Hebreje, të cilat përfshijnë datat 22 deri më 29 prill. Zyrtarët në kushte anonimiteti bëjnë me dije se lidershipi iranian është në situatë gatishmërie të lartë. Popullsia po gjen mundësi strehimi në shtëpitë sigurta dhe objekte nëntokësore./A2CNN

Të ngjashme