Të paktën 5 të vdekur nga përmbytjet në Kazakistan

14:51 | 18 Prill 2024
E.G

Të paktën 5 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve në Kazakistan, ndërsa janë duke vazhduar kërkimet për 2 të zhdukur.

Duke folur për gazetarët pas një seance të Senatit, zëvendësministri i parë i Punëve të Brendshme Marat Kocayev tha se 4 persona kanë humbur jetën në rajonin Atrau për shkak të përmbytjeve në vend, kurse një fëmijë ka vdekur pasi është rrëmbyer nga rrjedha në rajonin e Turkestanit.

Ai tha se në provincën Abay po vazhdojnë kërkimet për 2 persona, duke shtuar se tashmë është ngritur çështje penale në lidhje me incidentet dhe ka nisur hetim nga forcat e policisë.

Vendi po vazhdon të luftojë me përmbytjet që po ndodhin si pasojë e shkrirjes së shpejtë të borës pas një dimri me reshje të dendura, duke shkaktuar vërshime në lumenj. Sipas të dhënave aktuale të Ministrisë së Emergjencave, gjendja e jashtëzakonshme vijon “në shkallë lokale” në 38 vendbanime në 8 rajone për shkak të përmbytjeve.

Ndërsa numri i të shpëtuarve nga zonat e përmbytjeve deri më tani ka shkuar në 117.694, 18.651 prej tyre janë kthyer në shtëpitë e tyre. 6.887 nga të evakuuarit janë duke qëndruar në qendrat e akomodimit të përkohshëm.

5.718 shtëpi janë përmbytur në rajonet Akmola, Aktobe, Atrau, Kostanay dhe Kazakistani Verior. Për të luftuar përmbytjet në vend janë mobilizuar 44.156 efektivë, përfshirë edhe ushtarë./abcnews.al/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme