Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla i është drejtuar gjeneratës së 59-të të policisë së Kosovës në ceremoninë e diplomimit.
Në fjalën e tij, ai tha se parimi i respektimit të Kushtetutës mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë duke shërbyer drejt e paanshëm me profesionalizëm, përgjegjësi e ndershmëri janë parimet dhe vlerat e qarta të policisë, shkruan Arbresh.info.
“Nga sot, ju do të jeni pjesë e një organizate të madhe, e ngritur mbi parimet e shërbimit të barabartë për të gjithë qytetarët tanë dhe garantimin e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Këtu para nesh, para familjarëve tuaj e mbarë vendit tonë, ju sot do të betoheni për respektim të Kushtetutës sonë, mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë duke shërbyer drejt e paanshëm me profesionalizëm, përgjegjësi e ndershmëri. Këto janë parimet dhe vlerat e qarta të Policisë së Kosovës të cilat duhet ti bartni në çdo ditë të punës suaj.”, ka thënë ai.
Më tej, ai përmedni edhe zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankovic, i cili dje është ndaluar dhe po mbahet në Rashkë të Serbisë.
“Ceremonisë së sotme, radhëve të menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, sot i mungon Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankovic, i cili dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashkë të Serbisë. Ky është një akt i paprecedentë i Serbisë, mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës.”, u shpreh Sveçla.
“Ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet vendin tonë.”, tha ministri.
Fjala e plotë:
E nderuar Presidente znj. Osmani,
I nderuar Kryeministër Kurti,
Të nderuara Zëvëndëskryeministre,
I nderuar Drejtor i Policisë z. Hoxha,
I nderuar Drejtor i AKI-së z. Ajeti,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të korit diplomatik,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur kadetë,
Jam shumë i lumtur që sot jam këtu me ju dhe bashkërisht po shënojmë këtë ditë të rëndësishme për Policinë e Kosovës dhe Republikën tonë.
Nga sot, ju do të jeni pjesë e një organizate të madhe, e ngritur mbi parimet e shërbimit të barabartë për të gjithë qytetarët tanë dhe garantimin e sundimit të rendit dhe ligjit në çdo cep të territorit të Republikës së Kosovës. Këtu para nesh, para familjarëve tuaj e mbarë vendit tonë, ju sot do të betoheni për respektim të Kushtetutës sonë, mbrojtjen e sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë duke shërbyer drejt e paanshëm me profesionalizëm, përgjegjësi e ndershmëri. Këto janë parimet dhe vlerat e qarta të Policisë së Kosovës të cilat duhet ti bartni në çdo ditë të punës suaj.
Policia jonë, pjesë e së cilës nga sot do të jeni edhe ju, gëzon mirënjohje e vlerësim nga shoqëria jonë, të arritura këto falë punës së pandalshme të gjeneratave të tëra në forcimin dhe ngritjen e saj.
Të nderuar të pranishëm,
Ceremonisë së sotme, radhëve të menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, sot i mungon Zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb Dejan Jankovic, i cili dje është ndaluar dhe po mbahet pa asnjë arsyetim në Rashkë të Serbisë. Ky është një akt i paprecedentë i Serbisë, mes shumë veprimesh e sulmesh drejtuar Policisë së Kosovës.
Ky është një sulm i drejtpërdrejtë i Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb brenda Policisë së Kosovës të cilët gjejnë vullnetin dhe guximin të na bashkohen në rrugën e përbashkët që synon shërbim e siguri për të gjithë qytetarët dhe stabilitet vendin tonë.
Të dashur kadetë të Policisë, veçanërisht ju nga të gjitha komuntetet,
Republika jonë është edhe e juaja, vendi ynë është i përbashkët dhe çdo ditë e punës sonë duhet dedikuar forcimit të tij. Në sfidat që mund të ballafaqoheni nga sot e tutje, ne jemi mbështetja juaj, e cila nuk ka munguar edhe ndaj kolegëve tuaj kur janë kërcënuar apo rrezikuar në detyrën e tyre.
Të gjithë ju para vetes, nga sot bartni misionin fisnik të shërbimit me nder e përgjegjësi për qytetarët tanë. Ju do të jeni dera e ndihmës, shpresës dhe zgjidhjes në momentet e vështira e kritike për qytetarët tanë, prandaj misioni juaj është i shenjtë.
Rruga që keni para vetes është trasuar nga puna e pandalshme e mijëra pjesëtarëve të Policisë sonë nga 58 gjeneratat para jush. Shërbeni me nder dhe përgjegjësi është kërkesa me të cilën ju drejtohem sot dhe mbi këto vlera do të ngrisni edhe veten, Policinë dhe Republikën tonë.
Të dashur familjarë që sot jeni këtu kur bijtë e bijat tuaja po nisin një hap të ri në jetën tuaj,
U jemi mirënjohës që i keni rritur e edukuar fëmijët tuaj që të jenë në shërbim të qytetarëve dhe vendit tonë. Vendi ynë historikisht ka dalur fitimtarë përkundër egërsisë së atyre që aspiruan territorin tonë falë sakrificës së bijve e bijave tona.
Policia e Kosovës është vijimësia e përpjekjeve për shtet të lirë dhe të barabartë për të gjithë. Historia jonë ka dëshmorë që ranë duke luftuar për liri e çlirim, teksa ka edhe pjesëtarë policorë që në liri u sakrifikuan e heroizuan për mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë, mbrojtjen e sovranitetit e integritetit tonë territorial.
Të dashur kadetë,
Para jush sot këtu shpreh mbështetjen dhe gatishmërinë time të plotë për realizimin e synimeve të përbashkëta. Çdo ditë e punës sonë si institucione është në funksion të ngritjes dhe forcimit të kapaciteteve tuaja. Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ju, me qëllim të adresimit të çdo problemi që mund të ju sfidojë ju dhe shoqërinë tonë.
Ju uroj ditën e diplomimit me besim se do të shërbeni pa dallim e pa kursim.
Ju faleminderit!/Arbresh.info/
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe