Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Qëndrim Januzi, i cili po ngarkohet nga prokuroria se privoi nga jeta G.H, më 28 maj 2022 në Ferizaj, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij tha se kishte pasur vazhdimisht kërcënime nga tani i ndjeri H.
Sipas aktakuzës, motivi i kësaj vrasje thuhet të ketë qenë se i akuzuari e kishte privuar nga jeta G.H me pretendimin se i njëjti ia kishte djegur një veturë vëllait të tij. Mirëpo gjatë mbrojtës i akuzuari Januzi tha se nuk ka qenë motivi vetura e djegur pasi që vetura nuk ishte e tij por e vëllait të tij i cili atë veturë tha e kishte të siguruar “full kasko”, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Me tani të ndjerin G. ka pas raste më parë kur jemi hidhëruar mes vete dhe nuk kemi fol një javë, por kurrë nuk kemi pas asnjëherë qëllime dashakeqëse, dhe kur po them që nuk kemi fol për një javë arsyeja ka qenë për mosmarrëveshje të thjeshta si p.sh kemi pas me shku dikun ai ka than pse nuk me keni prit e të ngjashme”, tha i akuzuari Januzi.
I njëjti gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se tani i ndjeri G. kishte ndërruar sjellje pasi filloi të shoqërohej me reperin Fero.
“Kur G. filloi të ketë qasje agresive dhe kërcënuese sidomos ndaj meje, ka qenë kur ka fillu me u shoqëru me reperin Fero, nofkën e ka Fero ndërsa emrin nuk ia di. Të njëjtit kanë postuar në rrjetet e tyre sociale një foto të shkruar Fero Strella coming soon, Strella ka qenë nofka e G., në njëfarë mënyre të njëjtit kanë lajmëruar një bashkëpunim të tyre, e që unë mendova që G. do të bëjë një muzikë me Feron”, deklaroi tutje i akuzuari Januzi.
Tutje, i akuzuari Januzi ka rrëfyer për kërcënimet që sipas tij i bëheshin nga tani i ndjeri G.
“Pas nja dy ditëve e ka taku shoki im Besniku tani të ndjerin G., Besniku më ka thënë që G. i kishte thënë ‘keni me e pa ju mu më keni lënë përmas ju keni ec përpara’, e që unë fillimisht i kam injoruar këto fjalë nuk jam marrë me atë. Gjatë një periudhe sa ka qenë vëllau në Londër për koncert, ka ndodhur djegia e veturës së vëllaut e që unë e kam lajmëruar policinë për rastin, mirëpo nuk kam përmend emrin e tani të ndjerit edhe pse kam dyshuar. Unë policëve u kam dhënë vetëm indicje se kush i ka dit hyrjet në vendin ku kishte qenë vetura. E më pas G., më ka shkruar mua në instagram më ka thënë edhe në polici më keni qu më keni borxh shumë. S’ia kam pas borxh për me m’qu në polici. I njëjti ka bërë kërcënime të ndryshme në vazhdimësi. Unë e kam fshi nga rrjetet sociale dhe nuk jam marrë më me atë”, rrëfeu tutje i akuzuari Januzi.
I njëjti tha se kishte vërejtur që G., ishte i revoltuar dhe i nxehur për të bërë probleme, andaj kishte dërguar një shok të përbashkët për të ndërmjetësuar dhe për ta qetësuar.
“Duke e pa gjendjen, unë e kam dërgu një të përbashkët Vahit Istrefin me qëllim që të pajtohemi apo nëse nuk pranon të pajtohet të paktën ta ftoh pak nga këto raporte. Por që G. i kishte thënë që ishte i gatshëm me shku në burg dhe po përgatitej me shku në burg dhe këtë armë e kam për Qëndrimin kishte thënë. Vahidi ishte mundu me qetsu por pa efekt. Unë tjetër person nuk i kam dërgu ma por e di që prej të gjithë shokëve të përbashkët vazhdimisht i kanë fol që të qetësohet nga kjo punë që është gabim. Unë kam qenë shumë keq, rash në depresion e përjetova ran, kisha probleme me gjumin”, tha tutje i akuzuari Januzi.
Ai tha se një ditë para ngjarjes, tani i ndjeri G e kishte publikuar në rrjetet sociale një video ku shihej një arkivole.
“Dua të potencojë një fakt me postimet që kishte bërë G. në rrjetin e tij social instagram, “dil mos u fsheh”, “rreziko njëher” e të tilla. Këto postime mund të ruhen në arkivin e postimeve në instagram. Arsyeja që nuk e kam raportu në polici kam qenë i bindur që i njëjti është në përcjellje nga policia, dhe po të shkoja në polici u duke sikur po e nxisja. Te kërcënimi i fundit i cili ka ndodh një ditë para ngjarjes, G. e kishte gjet një arkivol dhe me video e qel dhe shkruan: “qe çka ju pret o qen”, ky publikim ka qenë në instagram të tij i cili ka qenë publik”, ka thënë Januzi.
I njëjti shtjelloi ngjarjen kur kishte qenë në Prizren me vëllaun e tij Butën në një koncert.
“Aty kemi qëndruar përafërsisht deri në orën 23:00. Aty kam pi alkool dy deri në pesë gota i kam pi, prandaj edhe s’kam vozit kah jam kthy ka vozit Rinori. Unë kam qenë si pasagjer ndërsa Betimi mbrapa” tha i akuzuari Januzi, duke shtuar se pasi që ishin kthyer atë natë, te hyrja e parkingut para hyrjes së ndërtesës kishte vërejtur tre persona në mesin e tyre kishte qenë edhe G. e që tani të akuzuarit i ishin dukur që po i prisnin këta shkaku i kërcënimeve të marra.
“Më pas kuptova që nuk ka të bëjë ngjarja me ne, e pam që nuk ka rrezik. Kjo krejt shkaku dyshimeve tona nga kërcënimet e atij. Unë kam pas pistoletë me vete, edhe në Prizren e kam pas, atë pistoletë e kam mbajt edhe para se të shkoj në Prizren, të cilën e kam ble në janar 2022. Unë pothuajse rregullisht kam pas armë me vete”, tha më tej i akuzuari Januzi.
Ai ka rrëfyer edhe momentin kritik të vrasjes së tani të ndjerit G. dhe motivet që nxitën të shtijë në drejtim të tij.
“Jam nis për të shku te kafiqi “Babilon”, dhe aty ndoshta në një distancë prej 10-15 metrave aty e kam vërejt G. para marketit “Euromarket” me Maliqin ka qenë ai. Maliqi më duket më ka vërejt mua, ndërsa, sa kam mund të dëgjoi ky Maliqi e ka përmend emrin tim me njëfarë forme e ka sinjalizu që unë jam duke ardhur, e që G. u kthy kah unë përballë. E kam vërejt që mban dorën në brez ku mbahet revolja, e që pastaj Maliqi ka dal përball G. me shpinë të kthyer nga unë, unë më nuk e kam vërejt G. prej Maliqit se çfarë veprime po bën a po nxjerr armën apo çka. Ato momente më ka kap panika jam friksu shumë, mu lidhen shumë sene aty u akumuluan shumë gjëra, ndodhi për 4 sekonda ndodhi shumë shpejt, s’di as qysh kam gjuajtur nuk më kujtohet më. Nuk më kujtohet se si ka arritur një zyrtar policor të më qëllonte mua, këtë e kam kuptu nga dy policë të tjerë në QKU”, tha i akuzuari Januzi.
Më pas, gjatë kësaj seance prokurori Ismet Rrahmani e ka të akuzuarin Januzi nëse i kujtohej në momentin kur ke gjuajt me armë, a ke vërejtur njerëz të tjerë apo lëvizje të veturave ato momente, ai tha se nuk i kujtohej, duke shtuar se në atë moment nuk ka parë as persona të tjerë dhe as policin i cili më ka plagosur.
I pyetur nga prokurori Rrahmani se a e ka parë revolen tani të ndjerit G., i akuzuari tha se “e di që e ka pas, e ka vendos dorën në brez, por nuk kam pa armën a e ka pas sepse me ka mbuluar pamjen Maliqi. Unë G. e kam njohur moti as unë as ai nuk kemi ecur pa armë”.
I akuzuari Januzi në fund sqaroi lëndimet që kishte pësuar kur ishte plagosur me armë nga zyrtari policor në natën kritike.
Mbrojtësi i të akuzuarit Januzi, avokati Florim Vërtopi tha se propozon që të administrohen provat mjekësore lidhur me këtë trajtim mjekësor që do të shërbejnë dhe për matjen e dënimit dhe se i mbrojturi i tij është goditur me pistoletë natën kritike.
“Propozojë të urdhërojë Qendrën e Paraburgimit në Hajvali të dorëzojë të gjitha shkresat që lidhen me gjendjen shëndetësore në mënyrë që të njëjtat të administrohen”, tha avokati Vërtopi.
Prokurori Rrahmani këtë propozim e kundërshtoi si të panevojshëm për procedurën, ndërsa mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Bekim Sylejmani e ka përkrah mendimin e prokurorit Rrahmani.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Habib Zeqiri njoftoi se në lidhje me këtë propozim do të vendos në seancën e radhës, në të cilën seancë poashtu pritet të ipet fjala përfundimtare.
Sipas aktakuzës më 28 maj 2022, rreth orës 00:53, në Ferizaj, në rrugën “Rexhep Bislimi”, përkatësisht para hyrjes së marketit “Euro Market”, i pandehuri Qëndrim Januzi, me dashje dhe përgatitje paraprake kishte privuar nga jeta tani të ndjerin G.H dhe me atë rast kishte vënë në rrezik edhe jetën e Maliq Latifit, i cili kishte qenë para hyrjes së marketit si dhe të personave tjerë brenda në market.
Në aktakuzë, thuhet se pas një mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një veturë të vëllait të tani të panndehurit për të cilën i pandehuri ka pretenduar se i është djegur nga ana e tani të ndjerit, me të takuar tani të ndjerin ka shtënë gjashtë herë në drejtim të tij me armë zjarri dhe si pasojë e të shtënave nga plagët e marra, G.H ndërron jetë siç ishte konstatuar në raportin e autopsisë të datës 22 gusht 2022, me të cilin konstatohet shkaku i vdekjes, e cila kishte ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri po akuzohet se nga koha e pacaktuar e deri më 28 maj 2022, në Ferizaj, i pandehuri Januzi pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “SAUER model 38H”, me një karikator me kapacitet prej 8 fishekëve, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, ku e njëjta është sekuestruar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...