Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare se ajo ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë të mërkurën.
“Këto pretendime janë të pabaza dhe Policia nuk ka ndaluar askënd, e as penguar hyrjen dhe kalimin e çdo qytetari nga territori i ‘Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë’”, tha Ministria serbe në një komunikatë.
“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë dhe sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare”, shtoi ajo.
Autoritetet e Kosovës thanë të mërkurën herët se Serbia ka ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”.
Ato u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Bashkimi Evropian tha se po e ndjek nga afër gjendjen dhe se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes duke ndaluar udhëtarët kosovarë.
Por, Ministria serbe tha më vonë se qytetarëve të Kosovës u “lejohet hyrja e papenguar dhe refuzon me forcë insinuatën se u ndalohet hyrja për shkak të posedimit të dokumenteve të lëshuara nga institucionet e përkohshme në Prishtinë”.
Megjithatë, Ibrahim Aliu, pronar i kompanisë turistike Rinor Travel, i tha Radios Evropa e Lirë se që nga mëngjesi i së mërkurës një autobus i kompanisë së tij është ndaluar në territorin serb, pas kalimit të kufirit të Hungarisë.
Autobusi po udhëtonte nga Zvicra për në Kosovë.
“Sipas shoferëve, me të cilët jam në kontakt, [autoritetet serbe] i kanë marrë dy udhëtarë dhe dokumentet e autobusit”, tha Aliu.
Paraprakisht sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, përmes një postimi në Facebook, tha se në Batrovci janë ndaluar të paktën katër autobusë, me “mbi 300 udhëtarë nga Kosova”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si “shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut” ndalimin në territorin e Serbisë të shtetasve të Kosovës, të cilët, “janë privuar nga ushqimi dhe ilaçet”.
Ndryshe, më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.
Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.
Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte./rel
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...