Google ADS

Ismaili: BQK e përkushtuar për forcimin e politikës së investimeve

14:50 | 16 Prill 2024
E.G

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar me bashkëpunëtorët e tij, u mirëprit në selinë e Bankës Botërore nga Zëvendëspresidenti dhe njëherësh Drejtuesi i Thesarit i BB-së, Jorge Familiar, për të zhvilluar diskutime të frytshme që lidhet me menaxhimin e Rezervës dhe iniciativat tjera për ngritjen e kapaciteteve të institucionit që ai drejton.

Guvernatori Ismaili theksoi vlerësimin e tij të sinqertë për anëtarësimin e BQK-së në Partneritetin për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) dhe mundësitë e paçmueshme që ka ofruar ky program për ngritjen e ekspertizës dhe kapaciteteve të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës përmes seminareve dhe programeve të saj trajnuese.

Po ashtu, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij për vizitën e delegacionit të nivelit të lartë të Bankës Botërore, e cila u zhvillua në mars 2024 në Prishtinë, vetëm gjashtë muaj pasi Republika e Kosovës është anëtarësuar në Programin RAMP, në muajin tetor 2023.

Në takim u theksua se këtë vit, Forumi i Huamarrësve Qeveritar i organizuar nga Banka Botërore, i cili do të mbahet në Prishtinë, demonstron bashkëpunimin në rritje ndërmjet BB-së dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, Guvernatori Ismaili nënvizoi përkushtimin e palëkundur të BQK-së për forcimin e politikës së saj të investimeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ai përsëriti gatishmërinë e BQK-së për të shfrytëzuar mbështetjen e ofruar nga Programi RAMP, për të arritur këtë objektiv në mënyrë efektive.

Andaj, duke u përafruar me standardet më të mira, BQK-ja synon të rrisë stabilitetin e saj financiar dhe të kontribuojë pozitivisht në forcimin e institucionit.

Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan edhe në progresin e bërë drejt investimeve të përgjegjshme Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG).

Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së ndaj këtij qëllimi, i cili është paraqitur dukshëm në Planin Strategjik 2024-2028.

“Duke integruar parimet e ESG-së në kornizën e saj të investimeve, BQK-ja kërkon të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të respektojë standardet etike në aktivitetet e saj të menaxhimit të Rezervës.”, thuhet

Në fund, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për delegacionin e RAMP-it të Bankës Botërore, për ekspertizën e tyre të vlefshme dhe përpjekjet bashkëpunuese në avancimin e praktikave të menaxhimit të Rezervës dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

“Shkëmbimi i frytshëm i ideve dhe ekspertizës gjatë takimit forcon edhe më tej partneritetin ndërmjet BQK-së dhe BB-së, duke i hapur rrugën progresit të vazhdueshëm dhe suksesit në arritjen e objektivave të ndërsjella.”, thuhet në njoftimin e BQK-së/Arbresh.info/

Të ngjashme