Kina po mbështet agresionin rus në Ukrainë duke ndihmuar Moskën në përforcimin më të madh ushtarak që nga epoka sovjetike, duke ofruar teknologji për dronët dhe raketat, imazhe satelitore dhe pjesë për makineritë, thanë të premten zyrtarë të lartë amerikanë.
Megjithatë, ambasada kineze në SHBA tha se Kina nuk i ka ofruar armatim asnjërës palë, duke shtuar se ajo “nuk është shkaktare, apo palë në krizën e Ukrainës”.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Presidenti Joe Biden e ngriti këtë çështje me presidentin kinez Xi Jinping gjatë telefonatës së fundit mes tyre dhe se kjo është një temë diskutimi me aleatët e Shteteve të Bashkuara në Evropë dhe në mbarë botën.
Një zyrtar tha se ndihma kineze po plotëson boshllëqe jetike në industrinë e mbrojtjes të Rusisë dhe se po e ndihmon Moskën të sigurojë “përforcimin e saj më ambicioz të mbrojtjes që nga epoka sovjetike dhe në një periudhë kohore më të shpejtë nga sa ne besuam të ishte e mundur në fillim të këtij konflikti”.
“Pikëpamja jonë është se një nga mundësitë me ndikimin më të madh që kemi tani në dispozicion për të mbështetur Ukrainën është që ta bindim Republikën Popullore të Kinës (PRC) të ndalë së ndihmuari Rusinë për rindërtimin e bazës së saj industriale ushtarake. Rusia më pas do të kishte vështirësi të mbështeste përpjekjet e saj të luftës pa ndihmën e PRC-së”, tha zyrtari.
Një zëdhënës i ambasadës kineze i tha agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ se nuk duhet ndërhyrë e as kufizuar tregtia normale mes Kinës dhe Rusisë.
“I bëjmë thirrje palës amerikane të mos i trajtojë me përçmim dhe mospërfillje marrëdhëniet normale mes Kinës dhe Rusisë”, tha zoti Liu Pengyu.
Disa nga informacionet e dhëna nga zyrtarët amerikanë në një konferencë për shtypin mbështeteshin në të dhëna të deklasifikuara të zbulimit. Ata paraqitën një gamë të gjerë mënyrash se si Kina po ndihmon luftën dyvjeçare të Rusisë kundër Ukrainës, ndonëse Kina nuk ka ofruar atë që quhet ‘ndihmë me materiale vdekjeprurëse’.
Presidenti Joe Biden ka ushtruar trysni ndaj republikanëve që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve për të miratuar një ndihmë të rëndësishme ushtarake për Ukrainën, ndërsa ajo lufton kundër agresionit rus.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë qenë gjithashtu më të drejtpërdrejtë për përballjen me agresionin kinez në Detin e Kinës Jugore dhe ishullin e vetëqeverisur, Tajvanin.
Kina u ankua për atë që e shihte si retorikë kundër Kinës pas bisedimeve të Presidentit Biden këtë javë me udhëheqësit e Japonisë dhe Filipineve, duke nxitur një reagim nga Shtëpia e Bardhë për ta mohuar këtë.
Rusët ka të ngjarë të kenë përdorur importet e pajisjeve nga Kina për të rritur prodhimin e raketave balistike, thanë zyrtarët. Ata përmendën “Dalian Machine Tool Group”, një nga prodhuesit kryesorë në Kinë të këtyre pajisjeve, si një kompani që furnizon Rusinë.
Në vitin 2023, 90% e importeve të pajisjeve mikro-elektronike në Rusi u morën nga Kina, pajisje të cilat Rusia i ka përdorur për të prodhuar raketa, tanke dhe avionë, thanë zyrtarët.
Ata thanë se kompanitë kineze si “Wuhan Global Sensor Technology Co”, “Wuhan Tongsheng Technology Co Ltd” dhe “Hikvision 002415.SZ” po ofrojnë pajisje për t’u përdorur për sistemet ruse, përfshirë tanket dhe automjetet e blinduara.
Përveç kësaj, Rusia ka marrë pajisje të tjera për tanke dhe automjete të blinduara që prodhojnë firmat kineze “IRay Technology Co Ltd” me bazë në Yantai dhe Instituti i Kërkimeve të Kinës së Veriut për Elektro-Optikë, thanë ata.
Zyrtarët thanë gjithashtu se Kina i ka ofruar Rusisë motorë dronësh dhe motorë për raketat që lëshohen nga anijet dhe se kompanitë kineze dhe ruse kanë punuar për të prodhuar së bashku dronë brenda Rusisë.
Kompanitë kineze ka të ngjarë t’i ofrojnë Rusisë nitro-celulozë për të prodhuar lëndën e nevojshme për armatimet, duke e ndihmuar kështu Rusinë të zgjerojë me shpejtësi kapacitetin e saj për të prodhuar municione jetike, si predhat e artilerisë, shtuan ata.
Zyrtarët amerikanë thanë gjithashtu se Kina po ndihmon Rusinë të përmirësojë aftësitë satelitore të saj dhe kapacitetet e tjera të bazuara në hapësirë për t’i përdorur në Ukrainë, duke rritur kërcënimin rus edhe për mbarë Evropën. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara kanë informacione që Kina po i ofron imazhe satelitore Rusisë për luftën e saj kundër Ukrainës./voa
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...