Tahiri përfaqësuesve moldavë: Cila do të jetë vota juaj për anëtarësimin e Kosovës në KiE?

20:20 | 15 Prill 2024
E.H

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në ditën e parë të punimeve të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka bërë të ditur se e ka ngritur çështjen e Kosovës në punimet plenare, ku iu është drejtuar përfaqësuesve të Moldavisë.

“Siç jeni në dijeni, Kosova është në proces të aplikimit, respektivisht anëtarësimit në këtë institucion të respektuar, dhe që ne kemi përmbushur të gjitha obligimet për të cilat besojmë se kanë qenë të nevojshme, si dhe jemi në proces të përmbushjes së një mori të aranzhmaneve të dakorduara, nga Raporti i Dora Bokojanis”, ka shkruar Tahiri.

“Pyetja ime për ju është se, cili është pozicioni i juaj në këtë çështje dhe cila do të jetë vota e delegacionit tuaj. Edhe njëherë, ju faleminderit që jeni në mesin tonë, dhe që keni pozicion të qartë mbi agresionin rus mbi Ukrainën. Ju faleminderit!”, ishte pyetja që Tahiri i parashtroi përfaqësuesit moldav.

“Kur është fjala te votimi i delegacionit tonë, duhet të ndajmë Qeverinë nga Kuvendi, anëtarë i të cilit kam qenë, pra nuk mund të flasë në emër të tyre, ata do të vendosin nesër. Mirëpo, siç e dini për Moldovën kjo është një çështje e ndjeshme, për shkak të çështjes së Transnistrisë, e cila është një çështje e vështirë për ne, por njëkohësisht mundem vetëm t’iu risiguroj, që jemi të kënaqur që kemi raporte të mira politike, dhe ishim të kënaqur që në kuadër të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian, vitin e kaluar, mirëpritëm presidentën tuaj, pra është një punë në progres, gjë që shpresoj se do të mirëkuptoni pozicionin tonë!”, i është përgjigjur Tahirit përfaqësuesi moldav./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme