Google ADS

Izraeli zotohet se do të vazhdojë ofensivën në Gazë

10:25 | 15 Prill 2024
KRG

Izraeli ka kryer dhjetëra sulme ajrore në Gazë gjatë natës, tha Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – më 15 prill, përderisa ushtria izraelite tha se nuk do të shpërqendrohet nga lufta pas sulmit të paprecedent të Iranit që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë.

Fuqitë botërore kanë bërë thirrje për përmbajtje pasi Irani më 13 prill lëshoi mbi 300 dronë dhe raketa ndaj Izraelit, edhe pse ushtria izraelite tha se shumica e tyre janë shkatërruar.

Sulmi i parë direkt i Teheranit ndaj Izraelit, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi vdekjeprurës në Damask më herët gjatë këtij muaji, pas muajsh të dhunës në mbarë rajonin ku janë përfshirë bashkëpunëtorët e Iranit, të cilët kanë thënë se po veprojnë në mbështetje të palestinezëve për shkak të luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.

“Edhe nën sulmin nga Irani, ne nuk jemi shpërqendruar për asnjë moment nga misioni ynë thelbësor në Gazë për të shpëtuar pengjet tanë nga duart e bashkëpunëtorit të Iranit, Hamasit”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, admirali Daniel Hagari.

Përderisa ndërmjetësit po synojnë të arrijnë një marrëveshje për ndaljen e luftimeve, që u nxitën nga sulmi i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit, ky i fundit po planifikon të dërgojë trupat në Rafah, në jug të Gazës, ku është strehuar shumica e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh e Gazës.

“Hamasi ende po mban pengjet tona në Gazë”, tha Hagari, duke shtuar se janë afër 130 persona, përfshirë 34 pengje që besohet se kanë vdekur. Izraeli sërish u zotua se do të kthejë të gjitha pengjet në shtëpi.

Si pasojë e sulmit të Hamasit në Izrael janë vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë. Ndërkaq, nga ofensiva ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë janë vrarë më shumë se 33.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore./REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme