Nga: Mytaher Haskuka
Nga shumë nga qytetarë që i kam takuar në muajt e fundit asnjë nuk ka dyshime që “Zajednica” e komunave me shumicë serbe ashtu si është dizajnuar paraqet një të keqe që i kanoset të ardhmes së Kosovës, pra fëmijëve tanë.
Më një lexim të thjeshtë të marrëveshjeve, kuptojmë që në një vend normal këto marrëveshje nuk do të ishin pranuar kurrë dhe reagimi qytetar do të ishte i menjëhershëm ku do të kërkohej dorëheqja e Qeverisë. Po ja që Kosova nuk është një vend normal dhe aktorët e pushtetit kanë krijuar një rrjet të kontrollit të informatave që i plasohen publikut dhe si pasojë ka një manipulim të opinionit.
Të rikujtojmë se establishmenti për këto marrëveshje thoshte që marrëveshjet janë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Po ashtu ata thoshin se marrëveshja vlente për integrimin e serbëve në Kosovë, do t’i kontribuonte njohjes formale të pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe po ashtu ata trumbetonin që kjo është kërkesë e miqve tanë ndërkombëtarë dhe do të ndihmonte Kosovën në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.
Tani më shumë se katër muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për “Zajednicën” të gjitha këto aludime të pushtetit dhe të establishmentit të saj kanë dalë si të pavërteta: që marrëveshja e shkel kushtetutën, që nuk i integron serbët e Kosovës por i fuqizon strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë pra i dezintegron serbët, me bllokimin në UNESCO u pa që Serbia nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën dhe së fundi në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) Kosova trajtohet me fusnotë pra si jo shtet dhe nuk ka integrime në BE për jo shtete.
Gjykata Kushtetuese edhe pse nxori një vendim kontradiktor, ajo nuk mundi e të mos e konstatojë që marrëveshja për “Zajednicën” është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Në vendimin e Gjykatës saktësisht specifikohen 23 nene të kushtetutës të cilat janë të shkelura nga kjo marrëveshje.
Në të kaluarën një president Fatmir Sejdiu pati dhënë dorëheqje ngase kishte shkelur një nen të Kushtetutës, gjersa presidenca e Behxhet Pacollit ishte anuluar ngase ishte shkelur vetëm procedura e konstatuar nga Gjykata, por kur vjen tek kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Thaçi ata i harruan fjalët e dhëna për llogari, e dorëheqja as që ju shkon ndërmend.
Po ashtu doli që nuk është e vërtetë se “Zajednica” integron serbët e Kosovës, së pari atë nuk e kanë kërkuar serbët e Kosovës por Beogradi.
Deputetit Nenad Rashiqit ish- përfaqësues i pavarur i serbëve të Kosovës në Kuvendin e Republikës pati deklaruar që “Zajednica” është krijuar që Beogradi të ketë kontrollin ndaj serbeve të Kosovës që të mos integrohen në institucionet e Kosovës”.
Disa javë pasi që e bëri këtë deklaratë edhe ai vetë u bashkua grupit parlamentar të Lista Srpskas në Kuvend pra praktikisht na dëshmoi me veten e tij deklaratën e dhënë më herët ku edhe ai vetë kaloi nën kontrollin e Beogradit. Paramendoni çfarë efekti ka “Zajednica” para se të implementohet. E, po ta lejonim që të implementohet serbët as që do të mund të marrin frymë pa e pyetur Beogradin.
Çka është më e keqja me këtë marrëveshje Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi edhe ata Serbë që duan të jetojnë në fqinjësi të mirë me shqiptarët dhe komunitetet tjera i la nën mëshirën e Beogradit, që nën kontrollin e Beogradit të shndërrohen në mjet politik për kontrollin e Kosovës. Një Kosovë ku një pjese e popullatës dhe e territorit është e kontrolluar nga Beogradi nuk është gjë tjetër veçse një bombë e kurdisur për të ardhmen, një bombë për fëmijët tanë.
Bllokimi i Kosovës nga ana e Serbisë në iniciativat ndërkombëtare e ilustruar më së miri në rastin e UNESCO-s tregon që këto marrëveshje nuk e bëjë që Serbia ta njoh Kosovën. Është e logjikshme që kur nga dy palët, njëra palë bën të gjitha lëshimet, pala tjetër nuk ka nevojë për kompromise. Tani me “Zajednicën” Serbia i realizon të gjitha planet e saj për Kosovën, kontrollon minierat e Trepçës, Kishincës, dhe Artanës, kontrollon energjetikën e Kosovës përmes kontrollit të liqenit të Ujmanit, kontrollon Prishtinën me kontrollin e liqenit të Badovcit, kontrollon resurset turistike të Kosovës, Brezovicën dhe Burimet e Kllokotit. Por çka është më e rëndësishme me kontroll të tillë ekonomik dhe politik ajo kontrollon edhe politikëbërjen në Kosovë pra e kontrollon Republikën e Kosovës. Prandaj një Serbi që e kontrollon Kosovën nuk ka nevojë ta njoh shtetësinë e Kosovës.
Së fundi në MSA-në që iu dha Kosovës, Kosova trajtohet me fusnotë pra për organizmat e Evropës, Kosova ende është joshtet dhe joshtetet nuk mund të fillojnë bisedimet për integrime në Bashkimin Evropian. Përkundrazi kjo marrëveshje e bën Serbinë të përparojë në integrimet Evropiane por jo edhe Kosovën. Derisa në kapitullin 35 Beogradit askund nuk kërkohet njohja e Kosovës. E vendit tonë në MSA i kërkohet implementimi i marrëveshjeve me Beogradin të cilat janë për rregullimin e brendshëm tonin.
Së fundi në asnjë Raport të Progresit të BE-së për Kosovën nuk ka kërkesa për fragmentim të sovranitetit të Kosovës, pra për bosnjëzim. Por mund të themi të kundërtën që në Bosnje dhe Hercegovine, BE-ja duke parë që Republika Srpska është duke bërë bllokimin e të gjitha reformave në këtë shtet, është duke kërkuar një rregullim të ri të Bosnjës. E si mund të ndodhë që kjo Evropë që kërkon debosnjëzimin e Bosnjës të kërkoj bosnjëzimin e Kosovës?
Në një shtet normal demokratik nëse një Kryeministër deklaron se një marrëveshje që e ka nënshkruar është sipas kushtetutës dhe del që ai paska shkelur kushtetutën plot 23 herë me nënshkrimin e tij gjëja më normale do të ishte që ai të jep dorëheqje.
Në një shtet kur Kryeministri gënjen qytetarët dhe nuk i mbron interesat e tyre kundrejt fqinjëve dhe organizatave ndërkombëtarë, dorëheqja do të ishte më se normale.
Në një shtet normal demokratik nëse një Kryeministër i jep resurset kryesore ekonomike, minerale, energjetike dhe turistike një shteti fqinj pa e pyetur popullin, jo vetëm që ai do të dorëhiqej por do të pasonin edhe aktakuzat për tradhti kombëtare dhe burgu do të ishte më se normal.
Prandaj për të bërë Kosovë një shtet normal, për ta bërë një demokraci, republikë, një shtet me sovranitet, të gjithë do të jemi në Prishtinë më 9 Janar.
(Autori është deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës)
Nwaneri në histori të Arsenalit, Arteta me fjalë të mëdha pë...
LDK sot në Malishevë me “Turneun e Ndryshimit”
Rama në Londër: Nisëm ligjore për të regjistruar fëmijët e s...
Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit, mbi 50 pika në rend dite
Driloni, Anisës: Po tutem që të shikoj
Zelensky kërkon më shumë sisteme për mbrojtje ajrore të Ukra...