Google ADS

Izraeli zmbraps sulmet iraniane me ndihmën e aleatëve, shqetësim për përshkallëzim

17:45 | 14 Prill 2024
E.G

Në një veprim të paprecedentë, Irani sulmoi të shtunën Izraelin ndërsa mbrojtja ajrore e këtij të fundit e ndihmuar edhe nga aleatët, SHBA, Britania, Jordania dhe Arabia Saudite arritën të rrëzojnë rreth 99 % të më shumë se 300 dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani. Por tensionet mbeten të larta, mes frikës për përshkallëzim të mëtejshëm në rast të një kundërsulmi të mundshëm izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden tha se do të thërrasë një takim të G-7-ës për të koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike. Ekspertët thonë se ky sulm shënoi një kapitull të ri në histori.

Izraeli njoftoi të dielën se kishte përballuar me sukses sulmin e paprecedentë nga Irani, ndërsa ushtria izraelite dhe aleatët rrëzuan 99% të më shumë se 300 dronëve dhe raketave të lëshuara drejt territorit izraelit.

“Të shtunën Irani ndërmori një sulm kundër Izraelit dhe nisi më shumë se 300 dronë dhe raketa. Kërcënimi iranian u përball me epërsinë ajrore dhe teknologjike të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit së bashku me një koalicion të fortë me aleatët, i cili së bashku goditi shumicën e dronëve dhe raketave. Ne goditëm 99% të kërcënimeve të lëshuara ndaj territorit të Izraelit. Kjo është një arritje strategjike shumë e rëndësishme”, tha zëdhënës i Ushtrisë izraelite.

Por tensionet rajonale mbeten të larta, mes frikës për përshkallëzim të mëtejshëm në rast të një kundërsulmi të mundshëm izraelit.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se “ai do të thërriste një takim të G-7-ës (shtatë vendet më të industrializuara të botës) për t’u koordinuar një përgjigje të bashkuar diplomatike ndaj sulmit të paprecedentë të Iranit”.

Sipas analistëve, gjuha e deklaratës tregoi se administrata Biden nuk dëshiron të futet në një konflikt më të gjerë ushtarak. Një zyrtar i lartë amerikan tha se Uashingtoni e kishte informuar Izraelin se nuk planifikon të godasë vetë Iranin.

Sulmet iraniane ndaj Izraelit ndodhën pas një sulmi ajror në një ndërtesë konsullore iraniane në Siri në fillim të këtij muaji, ku u vranë dy gjeneralë iranianë. Izraeli as nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar përgjegjësinë për këtë sulm.

“Mendoj se trysnia ndaj udhëheqësit suprem Ayatollah Khamenei u rrit deri në pikën ku Irani e ndjeu se ishte e nevojshme që nëse nuk i kryente këto sulme ndaj Izraelit, Izraeli thjesht do të vazhdonte të merrte gjeneralët iranianë një nga një”, thotë për Zërin e Amerikës, Barbara Slavin, eksperte pranë qendrës “Stimson” .

Prej vitesh, Izraeli dhe Irani kanë zhvilluar një luftë në hije me incidente si sulmi ndaj konsullatës në Damask, por sulmet e së shtunës ishin sulmet e para të drejtpërdrejta iraniane ndaj Izraelit, pavarësisht dekadave të armiqësisë që daton që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

“Ky është një kapitull i ri për historinë e Lindjes së Mesme. Deri në këtë pikë, as Irani dhe as Izraeli nuk e kishin sulmuar drejtpërdrejt njëri-tjetrin nga territori i tij. Irani tani e ka ndryshuar këtë. Për Izraelin, kjo do të thotë se Irani mund të bëjë sulme të ngjashme në të ardhmen. Po kështu, kjo do të thotë se Izraeli tani ka të drejtë ta bëjë të njëjtat sulme kundër vetë Iranit. Veprimet e Iranit kanë ndryshuar rrjedhën e dinamikës së sigurisë rajonale”, thotë për Zërin e Amerikës eksperti Norman Roule.

“Përshkallëzimi i dhunës është shumë i rrezikshëm. Shumë prej nesh që e kemi parë me habi luftën e Gazës gjatë 6 muajve të fundit, jemi të shqetësuar se ky lloj përshkallëzimi mund të sillte një konflikt më të gjerë, nëse situata në Gaza nuk zgjidhet shpejt”, thotë për Zërin e Amerikës Barbara Slavin, eksperte pranë qendrës “Stimson” .

Izraeli ndër vite ka krijuar me ndihmën e Shteteve të Bashkuara një sistem të mbrojtjes ajrore, i aftë të përballojë një sërë kërcënimesh, duke përfshirë raketa me rreze të gjatë, dronë apo raketa me rreze të shkurtër veprimi.

Ky sistem, së bashku me avionët amerikanë, britanike dhe të aleatëve të tjerë bënë që Izraeli të përballonte me sukses sulmin masiv iranian, ndërkohë që ushtria është në luftë me grupin militant Hamas në Gazë dhe Hezbollahun në Liban. Si Hamasi ashtu edhe Hezbollahu mbështeten nga Irani.

“Teknologjia iraniane nuk arriti të depërtojë përtej mbrojtjes ajrore perëndimore. Po ashtu ushtria iraniane ishte në gjendje të demonstronte se ishte e gatshme të godiste Izraelin. Pavarësisht reputacionit ushtarak të Izraelit dhe pavarësisht mbështetjes së Izraelit nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Por është e pamundur të thuhet sonte se Irani do të largohet nga ky sulm me ndjenjën se ka frenuar Izraelin apo Shtetet e Bashkuara”, thotë eksperti Norman Roule për Zërin e Amerikës.

Gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, shefi i Shtabit të Forcave të armatosura iraniane, tha se operacioni kishte përfunduar, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

“Ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë operacionin kundër Izraelit”, citohet të ketë thënë ai.

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, pretendoi se Irani i kishte dhënë një mësim Izraelit dhe paralajmëroi se “çdo aventurë e re kundër interesave të kombit iranian do të përballej me një përgjigje më të rëndë dhe pa keqardhje nga Republika Islamike e Iranit”./voa/

Të ngjashme