Kryeministri i Repulikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.
Pasi i uroi organizatorët për këtë garë, ai tha se Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, tha kryeministri Kurti.
Esports është një sfidë e re edhe emocionuese për të rinjtë tanë e të apasionuarit dhe gjithashtu është edhe një platformë për t’u shprehur, për të ndërtuar bashkëpunimin edhe për ta kultivuar talentin e të rinjve në një mjedis digjital.
“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, u shpreh kryeministri.
Më tej, kryeministri Kurti shtoi se “Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë, është një prej politikave të cilën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka prioritizuar. Andaj, synojmë që së bashku me Federatën dhe komunitetin e lojërave elektronike të sjellim në Kosovë gara dhe turnire të Esports, që mbahen tek ne, sa më shpesh, sa më shumë, ashtu që Kosova të bëhet epiqendra e këtij organizimi përveçse në rajon, edhe më gjerë në Evropë e në botë”.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Altin Preniqi, kryetar i Federatës, E-sports Kosova,
I nderuari z.Ismet Krasniqi, Kryetar i Komisionit Olimpik të Kosovës,
I nderuari z. Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës,
I nderuari z. Igor Nedeski, drejtor i organizimeve të eventeve të International E-sports Federation,
I nderuari z.Samy Bessi, që është nënkryetar i Global E-sports Federation,
I nderuari Flatron Halimi, anëtar i Bad News Eagles,
Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj, motra dhe vëllezër,
Mirë se po ju gjej në këtë ngjarje shumë të rëndësishme për komunitetin e Esports sot.
Federata e E-sports e Kosovës, është federatë relativisht e re por me një potencial të madh e të mirë për suksese në të ardhmen. Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak se së fundmi është licensuar pranë kësaj ministrie në fund të vitit të kaluar.
Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që e mundëson zhvillimin e Esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike.
Ky organizim, pra Kampionati shtetëror në Esports, është një nga organizimet më të mëdha të FESK. Për herë të parë, finalet e kampionatit po zhvillohen në mënyrë fizike.
Që nga fillimi i kampionatit shtetëror, kanë marrë pjesë 180 ekipe, të cilët kanë garuar në Counter-Strike dhe në e-futboll. Ndërsa sot zhvillohen finalet me katër ekipet më të mira, e fituesit, përveç që do të shpallen kampion shtetëror, ata po ashtu do të përfaqësojnë Kosovën në garat e mëtutjeshme ndërkombëtare.
E-sports është një sfidë e re edhe emocionuese për të rinjtë tanë, po jo vetëm, edhe për neve që nuk jemi bash të ri më, dhe gjithashtu është edhe një platformë për t’u shprehur, për të ndërtuar bashkëpunimin edhe për ta kultivuar talentin e të rinjve në një mjedis digjital.
Kudo që bëhet një aktivitet a një punë ka edhe talente për atë aktivitet apo për atë punë.
Kosova është dëshmuar për këtë talent së pari në sektorin e teknologjisë dhe në sektorin e sportit. Pra, sportet elektronike janë ato hapësira ku teknologjia dhe sporti bëhen bashkë e ne kur kemi suksese në të dyja këto natyrisht që do të kemi edhe në Esports ku takohen e bashkohen përvojat.
Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial edhe më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen.
Është e rëndësishme ta ndërtojmë një kulturë të ndërgjegjësimit dhe edukimit në lidhje me përdorimin e teknologjisë. Të rinjtë duhet të kenë informacionin dhe mjedisin e duhur për të zgjedhur përdorim të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të teknologjisë, duke shmangur përdorimin e tepërt dhe të pakontrolluar. Pra, teknologjia duhet të jetë në shërbim të gjithsecilit prej neve dhe jo anasjelltas.
E një aspekt tjetër është edhe ndërlidhja e sporteve elektronike me aktivitetet sportive tradicionale. Lojtarët në këto lojëra përderisa e përsosin aftësinë e tyre dhe përballen me gara për të fituar natyrisht, ata duhet ta promovojnë edhe një stil jetese të shëndetshëm, dhe të inkurajojnë lojtarët të mbajnë një nivel të mirë të formës fizike për të përmbushur performancën maksimale në arenën virtuale.
Pra, virtualiteti dhe realiteti nuk janë të pavarura prej njëra tjetrës. Sa më të fortë që jemi fizikisht në realitet kjo do të mund të na përkthehet edhe në performancë të shtuar në virtualitet. E sfida nuk është e kollajshme për shkak se vepron shumë zemra e truri e ndoshta më pak muskujt e tjerë, por duhet të keni kujdes që ju të cilët jeni në Esports të mos i harroni edhe sportet e tjera. Ashtu qysh ne po përpiqemi që në kuadër të infrastrukturës dhe legjislacionit në Kosovë për sporte të përfshihet edhe E-sports.
Në kuadër të lojërave elektronike kemi edhe zhvilluesit e lojërave, të cilët janë përgjegjës për krijimin dhe zhvillimin e lojërave që ne i adhurojmë. Përkushtimi dhe kreativiteti i tyre janë ata të cilët sjellin në jetë botën virtuale dhe aventurat emocionuese për lojtarët. Me talentet dhe potencialin tonë rinor, së bashku duhet ta orientojmë angazhimin në krijimin e lojërave të reja përmes të cilave targetohen përdoruesit dhe audienca edhe ndërkombëtare, e njëkohësisht mund të shërbejnë edhe si promovuese e historisë, kulturës dhe virtyteve të popullit tonë.
Organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare në Kosovë, është një prej politikave të cilën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka prioritizuar. Andaj, synojmë që së bashku me Federatën dhe komunitetin e lojërave elektronike të sjellim në Kosovë gara dhe turnire të Esports, që mbahen tek ne, sa më shpesh, sa më shumë, ashtu që Kosova të bëhet epiqendra e këtij organizimi përveçse në rajon, edhe më gjerë në Evropë e në botë.
Për fund, unë ju uroj shumë sukses në gara sot dhe jo vetëm, dhe le t’i festojmë të gjitha fitoret, pavarësisht nga rezultati përfundimtar. Kënaqësia në proces është gjithashtu fitore për juve që luani dhe për neve që ju adhurojmë. Ju faleminderit./Arbresh.info/
Mbappe: Askush në Real Madrid nuk do të pendohet kurrë për n...
“Dorëzoni armët, ose do groposeni me to”, Erdogan paralajmër...
Fitimi i pakënaqur me Sarën për mungesën e dhuratës për fest...
Tahiri: Qytetarët përballen me vështirësi ekstreme për ngroh...
Kamberi: Qeveria e Kosovës tregon përkushtim të jashtëzakons...
Sjellja e tmerrshme e Xum Allushit ndaj banorit të ri nga Ko...