Google ADS

Kurti mori pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, trajtoi sfidat me të cilat po përballet niveli global

13:24 | 14 Prill 2024
E.H

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, e cila po zhvillohet në Dubai.

Në fjalën e tij, ai trajtoi sfidat me të cilat bashkërisht përballemi në nivel global, si energjia dhe ndryshimet klimatike, qasjes sonë ndaj tyre dhe punën e të arriturat e qeverisë, përcjell Arbresh.info

“Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e BPV-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin.” tha kryeministri.

Ai theksoi mes shumë të tjerash rritjen e punësimit, dyfishimin e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve, shtesat për fëmijë e mbështetja për nënat lehona, sistemi dual, arsimi i lartë falas, mbështetja dhe bursat për gratë në STEM, por edhe përmendi rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekset e renditjet të ndryshme ndërkombëtare.

“Ngjarjet e tri viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këto vlera”, tha në fund Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme