Google ADS

QUINT-i dhe BE-ja i bën thirrje Listës Serbe të rishqyrtojë vendimin për bojkotin e zgjedhjeve në veri

21:56 | 10 Prill 2024
E.G

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë dalur me reagim të përbashkët lidhur me bojkotin e Listës Serbe votimin në komunat veriore.

Me anë të këtij reagimi, ata i kanë bërë thirrje Listës Serbe që të rishqyrtojë qëndrimin e vet e po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi, shkruan Arbresh.info.

QUINT-i dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur sërish shqetësimin për thirrjen që ka bërë Lista Serbe për bojkotimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Na vjen keq për deklaratat e Listës Srpska dhe aktorëve të tjerë politikë serbë të Kosovës që bëjnë thirrje për tërheqje nga pjesëmarrja në këtë votim. Pjesëmarrja demokratike është thelbësore për të siguruar që institucionet e zgjedhura të jenë përfaqësuese të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike”, thuhet mes tjerash në reagimin e përbashkët.

QUINT-i dhe BE-ja thonë se “pranojmë se zgjedhjet e 23 prillit 2023 nuk dhanë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna dhe se qeverisja përfaqësuese në veri do të rikthehet kur të mbahen zgjedhjet për kryetarë komunash me pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve”.

“Mirëpo, bojkotimi i zgjedhjeve të 21 prillit nuk do të sjellë këtë rezultat dhe as nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në veri. Prandaj, i bëjmë thirrje Listës Srpska dhe të gjithë të tjerëve që kanë bërë thirrje për tërheqje, të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të përdorin plotësisht mjetet demokratike në dispozicion për të avancuar demokracinë efektive dhe përfaqësuese”, thuhet tutje në qëndrimin e tyre.

Thirrje i kanë bërë edhe Qeverisë së Kosovës për përgjëgjshmëri ndaj shqetësimeve të qytetarëve.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të jetë e përgjegjshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj dhe të veprojë me profesionalizëm gjatë gjithë këtij procesi. Ftojmë të gjitha palët e interesuara që të veprojnë në atë mënyrë që të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote në veri të Kosovës të kenë mundësi të marrin pjesë”, përfundon reagimi./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme