Modric barazon me paraqitje në Champions League tre legjendat e futbollit

18:14 | 10 Prill 2024
D.H

Real Madrid dhe Manchester City luajtën baras 3-3 në një ndeshje të bukur në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve.

Luka Modric hyri në lojë në minutën e 71-të në vend të Toni Kroos dhe ishte një forcë e madhe për Realin në 19 minutat e fundit.

Në një kohë të shkurtër, ai regjistroi 31 prekje me top, pati një përqindje prej 88% të pasimeve të sakta, njëra prej të cilave ishte një pasim kyç. Ai fitoi të dy duelet në të cilat u gjend dhe ua largoi një top kundërshtarëve.

Përtej shifrave, mbetet përshtypja e fortë se hyrja e tij ndryshoi ritmin e lojës në favor të Real Madridit.

Me hyrjen në lojë, Modric bëri paraqitjen e 124-të në garën më të fortë evropiane të klubeve. Ai bëri tetë paraqitje si lojtar i Tottenhamit dhe 116 në fanellën e Real Madridit.

Me këtë, Modric u bë një nga 20 lojtarët që kanë bërë më shumë paraqitje në historinë e Ligës së Kampionëve dhe ndan vendin e 16-të me emra si: Zlatan Ibrahimovic, Paul Scholes dhe Gianluigi Buffon.

Për të hyrë në Top 15, atij i mungon një paraqitje për të kapur Clarence Seedorf.

I pari në këtë listë është Cristiano Ronaldo i cili ka 183 paraqitje në Ligën e Kampionëve, i ndjekur nga Iker Casillas me 177 paraqitje dhe Lionel Messi me 163 paraqitje./telegrafi

Të ngjashme