Google ADS

Fushata e Trump grumbullon fonde rekord, reagon fushata e Biden

18:17 | 8 Prill 2024
KRG

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, punonjës të ekipit elektoral të Presidentit Biden, minimizuan rëndësinë e fondeve rekord që u mblodhën gjatë një takimi shtunën nga fushata e rivalit republikan Donald Trump. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, analistët theksojnë se fondet e grumbulluara nuk janë elementi i vetëm që përcakton fituesin e Shtëpisë së Bardhë.Duke shënuar një rekord të ri në grumbullimin e fondeve gjatë një takimi të vetëm, fushata e zotit Trump siguroi 50.5 milionë dollarë gjatë një darke të shtunën në Palm Beach të Floridës për donatorët e pasur. Sapo mbërriti në vendin e ngjarjes, kandidati republikan për president, Donald Trump, shprehu besimin e plotë në suksesin e takimit.

“Njerëzit duan të kontribuojnë në kauzën për ta bërë Amerikën përsëri madhështore. Këtë gjë dëshirojnë të pasurit dhe të varfrit, të gjithë duan ndryshim. Vendi po ecën në rrugën e gabuar dhe është bërë qesharak në sytë e botës. Ne do ta ndryshojmë shumë shpejt”.

Fushata e Presidentit Joe Biden, i cili kandidon për t’u rizgjedhur, publikoi gjatë fundjavës shifrat e fundit të grumbullimit të fondeve.

Zëdhënësi Kevin Muñoz i tha Zërit të Amerikës të dielën se 1.6 milionë amerikanë kanë dhuruar për fushatën e zotit Biden. Ai sqaroi se si do të përdoren 192 milionë dollarë të grumbulluara nga fushata.

“Kemi mbi njëqind zyra në shtetet fushëbetejë me disa qindra vullnetarë. Kemi një fushatë mediatike prej 30 milionë dollarësh drejtuar popullsisë me ngjyrë, duke biseduar qysh herët me këta votues dhe shpesh duke përcaktuar përzgjedhjen në këto votime”, thotë Kevin Munoz, zëdhënës i fushatës së Presidentit Biden.

Ai minimizoi arritjet e fundit të fushatës së zotit Trump për grumbullim fondesh.

“Donatorët kryesorë të fushatës së Joe Biden-it janë infermieret dhe mësuesit. Jemi të fuqizuar nga shtresa e punonjësve dhe ky është dallimi i fortë me fushatën e Donald Trump-it, çka është përcaktuese për zgjedhjet”, tha zoti Munoz.

Por fondet e grumbulluara nuk janë elementi i vetëm që përcakton fituesin e Shtëpisë së Bardhë, thonë analistët. Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin e shkencave politike në Universitetin e Çikagos, Mark Hansen.

“Problemi më i madh me të cilin përballet tani Presidenti Biden janë çarjet brenda partisë dhe depërtimi tek të pavarurit dhe ndoshta tek republikanët e pakënaqur”.

Profesori i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Ajovës, Steffen Schmidt, thotë për Zërin e Amerikës se mbështetja ndaj zotit Trump nuk është rritur.

“Trump-i ka një bazë solide me individë shumë entuziastë, të përkushtuar dhe pasionantë, por nuk jam i sigurt që shifrat tregojnë se baza është zgjeruar”.

Fushata e zotit Trump nuk i është përgjigjur një kërkese të Zërit të Amerikës për intervistë. Në faqen e internetit të fushatës thuhet se zoti Trump do të zhvillojë një tubim në Pensilvani më 13 prill. Edhe fushata e zotit Biden do të jetë e ngarkuar gjatë javës, thotë për Zërin e Amerikës Kevin Munoz, zëdhënës i fushatës së kandidatit demokrat.

“Këtë të hënë ai shkon në Madison të shtetit Viskonsin për të folur mbi huatë e studentëve dhe ka një takim për mbledhje fondesh. Ai do të flasë çdo ditë deri në nëntor me votuesit që përcaktojnë zgjedhjet”.

Takimi për mbledhje fondesh do të zhvillohet këtë javë në Çikago, tha zoti Munoz pa dhënë detaje. Presidentit do t’i duhet gjithashtu që gjatë javës të kujdeset për problemet e brendshme dhe botërore, përfshirë një vizitë nga kryeministri japonez Fumio Kishida.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme