Google ADS

Haxhiu: Të reagojnë institucionet e drejtësisë ndaj Tahirit

16:58 | 8 Prill 2024
E.G

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, lidhur me rastin e mostrave të Astrit Deharit.

Haxhiu, me anë të një postimi në “Facebook”, ka shkruar se ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë, shkruan Arbresh.info.

“Ish-ministri me shurdhues, Abelard Tahiri, paska adresuar publikisht shpifje të cilat nuk janë për t’u injoruar, por të cilat kërkojnë reagimin e institucioneve përkatëse të drejtësisë”, ka shkruar Haxhiu, teksa shtoi se si ministre e Drejtësisë, ndien për obligim të demantojë shpifjet e trilluara duke shfaqur shpresën që pas këtyre deklaratave do të ftohet si dëshmitar tek organet kompetente.”, ka shkruar Haxhiu.

“Për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, i kam njoftuar institucionet e drejtësisë në orët e mbrëmjes së 7 dhjetorit të vitit 2022, ndërsa opinionin publik përmes konferencës për medie më 8 dhjetor 2022. Për të gjitha këto ekzistojnë dëshmitë. Aludimi i tij në konferencën e djeshme për media, se Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit kanë qenë në njohuri për zhdukjen e mostrave të rastit Dehari, që në pranverën e vitit 2022, zgjon dyshimet e bazuara se mbase Tahiri ka qenë i informuar që prej asaj kohe”, shtoi ajo.

Më tej, ajo shtroi një sërë pyetjesh ndaj deputetit Tahiri,duke aluduar nëse ky i fundit mund të ketë qenë i informuar për rastin.

“Përse Abelardi e përmend pranverën e vitit 2022? Me çfarë saktësisht e ka ndërlidhur ai këtë? A ka qenë ai i informuar apo edhe i përfshirë në atë mision të zhdukjeve të mostrave? Të gjitha këto dyshime që i mundësoi  Tahiri përmes deklaratës së tij, le t’i dëshmojë tashmë edhe si dëshmitar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës” ka shkruar Haxhiu, duke vënë në dukje dyshimin për motivet e zvarritjes për zbardhjen e rastit Dehari.

“Motivet për zvarritjen e zbardhjes së rastit të vrasjes së Astrit Deharit mbesin ende të panjohura për ne, dhe për këtë familja e Astrit Deharit kanë kërkuar në vazhdimësi që të ndryshohet prokurori. Abelard Tahiri po ashtu thekson së që nga zhdukja e mostrave u vështirësua dhe mjegullua hetimi në rastin Dehari edhe pse ai e di shumë mirë që analizat e atyre mostrave janë bërë që nga koha kur është vrarë Astriti dhe raportet për të njëjtat tashmë janë në Prokurori. Zërat e tillë vijnë për të larguar vëmendjen nga diku tjetër, dhe asnjëherë për të hedhur dritë mbi të vërtetën. Por, le të shpresojmë që deklarata e tij  mund t’i kontribuojë të vërtetës për zhdukjen e mostrave, siç potencon ai që nga pranvera e vitit 2022″, shkroi mes të tjerash Haxhiu./Arbresh.info/

Të ngjashme