Shtetet e Bashkuara kanë nevojë të madhe për punëtorë ndërtimi, thotë një shoqatë e industrisë së ndërtimit. Organizatat jofitimprurëse thonë se migrantët e sapoardhur që kanë vërshuar në disa qytete të Shteteve të Bashkuara në muajt e fundit mund të ndihmojnë në zbutjen e këtij problemi.
Qendra e Punësimit të Komunitetit “La Colmena” në Staten Island është një organizatë jofitimprurëse e qytetit të Nju Jorkut, e cila ofron trajnime edhe për emigrantët.
Njëzet vjeçarja ekuadoriane Marilyn Villamar është në mesin e një grupi të sapoardhur imigrantësh të rinj të zgjedhur nga një listë e gjatë njerëzish për trajnim mbi sigurinë në një kantier ndërtimi. Këto kurse janë të detyrueshme për punëtorët e ndërtimit në qytetin e Nju Jorkut. Qendra “La Colmena” thotë se zakonisht kurset kushtojnë 600 deri në 1000 dollarë, por organizata i ofron ato falas dhe në spanjisht.
“Ky kurs më ka ndihmuar duke më dhënë një mundësi për punë. Do të përpiqem të gjejë një vend pune në ndërtim”, thotë imigrantja Marilyn Villamar.
Industria e ndërtimit ka nevojë për më shumë se gjysmë milioni punëtorë shtesë në vitin 2024 për të përmbushur kërkesat e tregut, thonë drejtuesit e Shoqatës së Ndërtuesve dhe Kontraktorëve. Kjo shifër nuk përfshin ritmin normal të rritjes së industrisë me rreth 200,000 deri në 300,000 punëtorë në vit.
“Pandemia detyroi shumë njerëz të dalin në pension para kohe dhe niveli i pamjaftueshëm i punëtorëve të rinj në industrinë e ndërtimit do të shkaktojë një mungesë strukturore punëtorësh”, thotë Anirban Basu, ekonomist i lartë në Shoqatën e Ndërtuesve dhe Kontraktorëve.
Qendra “La Colmena” beson se imigrantët mund të ndihmojnë në plotësimin e mungesave të punëtorëve.
“Komuniteti ynë është i etur për punë, për të përmirësuar gjendjen e tij”, thotë Arlette Cepeda, zëvendësdrejtore e Qendrës “La Colmena”.
Por, zonja Cepeda thotë se organizata jofitimprurëse ka nevojë për fonde federale dhe shtetërore për të vazhduar ofrimin e kurseve falas për numrin në rritje të aplikantëve imigrantë.
“Mendoj se të gjitha palët do të përfitonin nga kjo dhe duhet të jetë një investim në nivel shtetëror. Mendoj se kjo mund të ndihmojë në zgjidhjen edhe të disa nga shqetësimeve që ka shteti për shpenzimet që bën për shërbimet sociale. Nëse njerëzit kanë punë, nuk do kenë nevojë për ndihma sociale”, thotë ajo.
Por disa politikanë vendas mendojnë se shpenzimi i parave të taksapaguesve për migrantët e sapoardhur është një padrejtësi ndaj qytetarëve amerikanë.
“Unë nuk e kuptoj se si dikush mendon se kjo është një politikë e mirë për Shtetet e Bashkuara. E kuptoj, ka njerëz që duan të punojnë, por ka shumë njerëz që janë shtetas amerikanë që gjithashtu duan të punojnë. Le të përpiqemi t’i ndihmojmë ata”, thotë Vito Fossella, President i Qarkut në Staten Island.
Kryebashkiaku Eric Adams thotë se qyteti i Nju Jorkut është gati të shpenzojë më shumë se 12 miliardë dollarë deri në qershor të vitit 2025 për të zbutur krizën e azilkërkuesve.
Zoti Fossella thotë se kjo është e papranueshme.
“Kur kërkuam për herë të parë një vlerësim më shumë se një vit e gjysmë më parë, ne mësuam se qyteti i Nju Jorkut do të kishte nevojë për rreth gjysmë miliardë dollarë për trajtimin e krizës së imigrantëve. Tani, ata po thonë se kanë nevojë për 12 miliardë dollarë në vetëm një vit e gjysmë, që do të thotë se do të shpenzohen rreth 143,000 dollarë për imigrant në vit”, thotë ai.
Ekspertë nga industria e ndërtimit, megjithatë, janë dakord me vlerësimin e Qendrës “La Colmena” se një investim tek njerëzit e sapoardhur në Amerikë është një investim në të ardhmen e saj.
“Kur keni një borxh të madh kombëtar dhe keni një fuqi punëtore të mundshme në vend, duhet të filloni të mendoni për përdorimin më efektiv të kësaj fuqie punëtore”, thotë ekonomisti Anirban Basu.
Shumica e ekspertëve thonë se kostoja fillestare për integrimin e imigrantëve në një komunitet mund të jetë e lartë, por përfitimet sociale dhe ekonomike afatgjata shpesh i tejkalojnë këto kosto./voa
Pas aterimit në Beograd, arrijnë në Prishtinë 155 udhëtarët ...
Hamza: Më shumë të ardhura për secilin, më shumë vende pune ...
Arrestohet një person në Mitrovicë për armëmbajtje pa leje
Arrestohet një person në Prishtinë, në shtëpi iu gjetën 20 q...
Zhegrova zgjedhet në formacionin e vitit në Ligue 1 nga tifo...
Kroacia mban zgjedhjet presidenciale