Google ADS

Bogujevci shtroi iftar për përfaqësueset e BIK-ut, gratë deputete, ministre të qeverisë dhe zyrtare të adminitratës së Kuvendit

19:49 | 7 Prill 2024
E.G

Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, mbrëmë shtroi iftar për përfaqësueset e Departamentit të Gruas të Bashkësisë Islame të Kosovës, të drejtuar nga koordinatorja Vaxhide Podvorica-Bunjaku, deputetet gra, ministre të Qeverisë së Kosovës dhe zyrtare të Administratës së Kuvendit.

Duke uruar muajin e shenjtë të Ramazanit, nënkryetarja Bogujevci theksoi rolin e rëndësishëm të gruas jo vetëm në familje, por edhe në jetën institucionale, shkruan Arbresh.info.

Ajo shtoi se muaji i shenjtë i Ramazanit nuk e ka vetëm rëndësinë e agjërimit, por edhe të familjes dhe bashkimit.

“Rëndësia e këtij muaji është reflektim drejt solidaritetit, mirëqenies, qoftë fizike, qoftë mendore dhe në të njëjtën kohë kujdesit ndaj njëri-tjetrit”, tha nënkryetarja Bogujevci.

 Ajo u shpreh e lumtur që i është dhënë mundësia të jetë në mesin e grave, duke shpresuar që një organizim i tillë të bëhet tradicional.

Një fjalë rasti mbajti edhe Vaxhide Podvorica-Bunjaku, koordinatore në Departamentin e Gruas në BIK, e cila falënderoi nënkryetaren Bogujevci për ftesën e iftarit.

Gjatë fjalës së saj, znj. Podvorica-Bunjaku shpalosi rolin dhe punën e grave në Bashkësinë Islame të Kosovës./Arbresh.info/

Të ngjashme