Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë qëndrimit në Bukuresht në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropian (PES) i ka ftuar zyrtarët evropianë që ta mbështesin Kosovën në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare.
“Vizitë produktive, jo vetëm për të forcuar bashkëpunimin me miqtë e aleatët tanë më të ngushtë, por edhe për t’u frymëzuar më shumë tek vlerat tona, e rritur diapazonin e dijeve dhe përkushtimin për ardhmërinë tonë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai është shprehur i kënaqur që është rikthyer mes miqsh në familjen e madhe socialdemokrate evropiane.
“Këtë herë, konferenca e radhës e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), ishte në qytetin e bukur të Bukureshtit. Bukureshtin e njohim mirë edhe si qytet i cili ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një vend ku intelektualë shqiptarë lirisht e shtjelluan mendimin kombëtar. Teksa jemi dy muaj para zgjedhjeve evropiane, ky takim kishte rëndësi madhore për fuqizimin e bashkërendimit mes nesh”, ka theksuar Kurti.
Tutje, ai ka thënë se socialdemokracia i bart idetë, traditën dhe vlerat për të mbrojtur e zhvilluar demokracinë dhe evropianizmin, në një kohë kur “ato janë të rrezikuara nga forcat e regjimet autokratike që synojnë dobësimin e Bashkimit Evropian”.
Kurti ka thënë se gjatë qëndrimit në konferencën e PES-it, midis përfaqësuesve të partive të ndryshme, ishte pjesëmarrës në pritjen e kryeministrit të Rumanisë, Marcel Ciolacu.
“Në konferencë e margjina të saj bashkëbiseduam por edhe patëm kënaqësinë të ishim edhe në praninë e Komisionerit Evropian dhe njëherazi kandidatit unanim të PES-it për president të Komisionit Evropian, Nicolas Schmit, kryetarit të PES-it dhe ish-kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven, gjithashtu të Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, zëvendëskryetares të Parlamentit Evropian, Katarina Barley, kryetares së grupit të socialistëve dhe demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Pérez, dhe shumë përfaqësuesve të tjerë prej partive anëtare të PES-it”, shtoi ai.
Ai ka thënë se qëndrimin në Rumani, e kaloi edhe në shoqërinë e dy përfaqësuesve të mërgatës shqiptare të Rumanisë: zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin për shkencat dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi.
“Gjurmët e rilindasve tanë e patriotëve të kombit, i vizituam në brendi të qytetit. Nga pllaka përkujtimore e kishës “Shën Nikolla” ku shënohet se aty ka meshuar për herë të parë në gjuhën shqipe rilindasi Fan S. Noli në vitin 1911, e deri te parku Herastrau ku gjendet edhe busti i poetit tonë të madh, Naim Frashërit, jo larg atij të Viktor Hugos. E vizituam dhe bustin e Ismail Qemalit te “Grand Hotel Continental” ku me 5 nëntor të vitit 1912, ai së bashku me Luigj Gurakuqin u takua me atdhetarë të tjerë para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë”, theksoi ai./Arbresh.info/
Policia e Shqipërisë nis aksion të antidrogës, “shënjestër” ...
Mbledhja e përbashkët Kosovë-Maqedoni, dalin detajet
Shqipëria mbyll përgatitjet në “Air Albania”, gati për ndesh...
Vëllai i Xhenetës me urgjencë vjen nga Suedia, gruaja e Mevl...
Kryetari Konjufca priti në takim deputetët laburistë të Mbre...
Qipro arrin fitore ndaj Lituanisë