Pasi Banka Qendrore e Kosovës ka hequr së fundi tarifat për depozitim të parave metalike nga bizneset, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, kërkon që BQK t’i largojë edhe tarifat e sistemit POS për bizneset, gjatë pagesave me kartela nga ana e konsumatorëve.
Kjo kërkesë është e kamotshme, ka thënë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Skender Krasniqi.
Vendimi më i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës për të larguar tarifën për depozitimin e monedhave metalike, është mirëpritur nga kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skender Krasniqi, i cili ka thënë për Radio Kosovën, se kjo ka qenë kërkesë e kamotshme e tyre.
Por, udhëheqësi i Dhomës thotë se e kanë edhe një kërkesë tjetër të kamotshme e që ende nuk po realizohet nga ana e BQK-së. Ajo ka të bëjë me heqjen e tarifës për sistemet POS gjatë kryerjes së pagesave me kartela nga ana e konsumatorëve.
“Kur paguan qytetari me kartelë nuk ka tarifë shtesë nga ana e bankave, ndërsa vazhdon të ketë tarifë për biznese deri në 3% të shumës që e paguan një qytetar me kartelë. Dhe kjo është një barrë e rëndë dhe e panevojshme. Kanë ndodhë pagesa kur një qytetar ka blerë kompjuterë në vlerë 15 mijë euro dhe biznesi më vonë ka vërejt që 450 euro iu janë ndalë nga ana e bankës për këtë blerje”, tha Krasniqi.
Krasniqi thotë se në vend që bizneset të stimulohen për përdorim dhe posedim të POS sistemeve me cka do të ulej informaliteti në ekonomi, BQK po i destimulon ata.
”Në shumë vende evropiane nuk mund të blesh pa kartelë, aq nxitet eliminimi i informalitetit dhe i pagesës me para të gatshme Cash, ndërsa këtu te ne me këto veprime që janë aktuale, më shumë po nxitet informaliteti. Sepse askush nuk pranon që për një pagesë ta zëmë 100 euro ti ndalet 3 euro, pse, ose nga 1000 euro ti ndalen 30 euro”, shprehet ai.
Kreu i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, ka përmendur edhe kërkesa tjera, sikurse që janë ulja e TVSH në ushqim në 5%, nxitja e eksportit duke i përkrahur bizneset me 10% të shumës që eksportojnë, pastaj nxitja e prodhimit vendor, e kërkesa të tjera.
E në lidhje me kërkesën e bizneseve për lirim të tyre nga tarifat e POS pagesave, RadioKosova ka kërkuar sqarim nga Banka Qendrore e Kosovës, se a është duke e trajtuar këtë kërkesë. BQK përmes një përgjigje më shkrim veç tjerash ka thënë se “BQK-ja mbetet e përkushtuar të nxis konkurrencën dhe të rishikoj kornizën rregullative që mbështet qasjen në financa, modernizimin e sistemit të pagesave dhe shërbimeve financiare cilësore e me kosto të përballueshme”.
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek