Google ADS

Gazetari spanjoll: Spanja ta njeh së pari Kosovën pastaj Palestinën

13:23 | 7 Prill 2024
E.H

Qeveria e Spanjës ka njoftuar se ka vullnet për ta njohur Palestinën si shtet të pavarur.

Duke e marrë këtë si shkas, opinionisti Guillem Pursals në gazetën spanjolle “El Independiente” shkruan se para Palestinës do të ishte e rëndësishme të trajtohej situata në Kosovë.

“Nëse është urgjente, siç tha Sanchez, njohja e Palestinës, ne duhet ta njohim Kosovën”, thuhet në artikullin e gazetës spanjolle.

“Spanja është një nga shtetet e pakta evropiane që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Pjesa tjetër janë Rumania, Moldavia, Sllovakia, Greqia, Serbia, Qipro dhe Bosnje-Hercegovina. Kjo e fundit sepse minoriteti serb bllokon njohjen”, thuhet në artikull.

Pursals shkruan se kur Spanja avokon që Palestina të jetë pjesë e OKB-së, e thellon kontradiktën me mosnjohjen e Kosovës.

“Për më tepër, ka një kontradiktë të rëndësishme në pozicionin spanjoll, ashtu si në atë të Greqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Që nga 1 janari i këtij viti, Kosova është pjesë e zonës Shengen dhe, për rrjedhojë, çdo qytetar i Kosovës mund të udhëtojë pa pasur nevojë për vizë nëpër të gjitha shtetet e nënshkruara në të njëjtin traktat të lëvizjes së lirë, pavarësisht se nuk është pjesë e Shengenit. Bashkimi Evropian, si pjesa tjetër e shteteve ballkanike, si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat janë të gjitha të njohura ndërkombëtarisht. Kështu, fakti që Spanja avokon që Palestina të jetë në Kombet e Bashkuara si shtet sovran dhe i pavarur, thellon edhe më shumë kontradiktën me mosnjohjen e Kosovës”, thuhet në artikull.

Opinionisti spanjoll shkruan se invazioni rus në Ukrainë ka ndezur tension në Ballkanin Perëndimor, derisa Vuçiq gjithnjë e më shumë e përdor retorikën e tij ultranacionaliste.

‘Nga njëra anë Kosova njihet si shtet i lidhur me Zonën Shengen dhe për këtë arsye njihet edhe pasaporta e Kosovës. Ndërsa, nga ana tjetër, Bosnje-Hercegovinës i hapet dera për të hyrë në Bashkimin Evropian, ndërsa Shqipëria shkon drejt anëtarësimit. Në këtë kontekst, Kosova nuk mund të qëndronte në tokë të askujt”, shkruan gazeta spanjolle tutje.

“Serbia, nga ana e saj, po tërhiqet përsa i përket lirive civile dhe politike, siç konfirmohet nga raporti i fundit i Freedom House, dhe ka mbyllur marrëveshjet e sigurisë dhe bashkëpunimit me Rusinë në mes të pushtimit të saj në Ukrainë. Prandaj, do të ishte e këshillueshme që BE-ja të koordinonte qëndrimin e saj për këtë çështje, nëse Serbia vendos të shkojë më tej, pa e ditur se cila do të jetë jeta e përtejme. Presidenti Vuçiq tha se do të kalonte në një fazë tjetër nëse Kosova do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës dhe për rrjedhojë do të njihej si një shtet tjetër”, shkruan gazeta.

Ai ka përmendur edhe tërheqjen e trupave spanjolle në kuadër të KFOR-it në vitin 2009, për çka thotë se u bë “në mënyrë të çuditshme”.

Pursals vlerëson se nëse Spanja avancon në njohjen e Palestinës, duhet të avancojë edhe në njohjen e Kosovës pasi sipas saj po afrohen kohë të vështira në Ballkan duke marrë parasysh pushtimin e Ukrainës dhe “lëvizjet ultranacionaliste” të Millorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme