Borrell: BE-ja është e shqetësuar për pasojat e ndalimit të dinarit për serbët në Kosovë

22:53 | 6 Prill 2024
R J

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për heqjen e dinarit dhe pasojat që ai ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Kjo ka të bëjë veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrell.

Në përgjigje të pyetjeve të deputetit francez Dominique Bild, çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) në lidhje me themelimin e Komunitetit të Komunave Serbe, vendimin e BQK-së dhe sistemet arsimore dhe shëndetësore të serbëve të Kosovës, Borell tha se çështja e dinarit prek çështjet që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin.

“Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, si statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ai ka shkruar.

Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është lidhur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në përgjigjen me shkrim thuhet se BE-ja ka përgatitur draftin evropian të statutit të Asociacionit, në konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe “vijat e kuqe të palët në masën e mundshme”.

Më 21 tetor të vitit të kaluar, projekt-statuti iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë Draft Statuti i Asociacionit, të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiq”, deklaroi Borell.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme