Evakuohen mijëra banorë nga një rajon rus, pas thyerjes së pjesshme të digës

14:09 | 6 Prill 2024
E.K

Ekipet e shpëtimit i kanë evakuuar të shtunën mijëra njerëz nga një rajon jugor rus, pas thyerjes së pjesshme të një dige, e cila rrezikon të shembet plotësisht.

Punëtorët përdorën gomone për t’i larguar banorët drejt vendeve të sigurta, për shkak se vërshimet nga lumi Ural u rritën në rajonin Orenburg, përfshirë në qytetin Orsk.

Agjencia ruse e lajmeve, TASS raportoi se diga ishte shkatërruar plotësisht, megjithatë zyrtarët lokalë e mohuan këtë më vonë.

Autoritetet thanë se tre trupa janë nxjerrë nga uji në rajonin e vërshuar, megjithëse nuk është e qartë nëse vdekja e tyre ndërlidhej me vërshimet.

Orski është qyteti i dytë më i madh në rajonin Orenburg, me 189.000 banorë.

Zyra e prokurorit rajonal tha se ka nisur një hetim penal ndaj thyerjes së digës, duke thënë se mirëmbajtja e dobët mund të ketë qenë shkaktari.

Në javët e fundit, një sërë komunitetesh në pjesët jugore të rajoneve siberiane dhe Bjeshkëve Ural të Rusisë janë goditur nga vërshimet, kryesisht për shkak të shkrirjes së borës pranverore dhe temperaturave të larta josezonale.

Disa pjesë të Kazakistanit, që shtrihen në kufi me Orenburgun, janë përballur me vërshime katastrofike gjithashtu.

Mbi 16.000 njerëz janë evakuuar nga komunitete të ndryshme në pjesët veriore të vendit.

Presidenti i Kazakistanit, Qasym-Zhomart Toqaev, tha se këto vërshime janë fatkeqësia më e rëndë natyrore që e ka goditur vendin e tij në 80 vjetët e fundit./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme