Google ADS

Një Iftar me zjarrëfikësit, heronjtë tanë/ Na mungon familja

21:14 | 5 Prill 2024
R J

Kjo zhurmë tërheqë vëmendjen tonë sa herë që e dëgjojmë, dhe jemi kurioz për fatkeqësinë, por rrallë herë për ata që shpëtojnë jetët e të tjerëve. Profesioni i zjarrfikësit nuk ka kohë dhe orare, ata janë në çdo kohë të gatshëm për të reaguar në çdo lloj situate.

Në muajin e Ramazanit, iftari është një moment i shenjtë kur njerëzit shijojnë ushqimet pas agjërimit të tyre. Por,  jo çdokush mund të shijoj këtë, pasi puna e tyre dëshiron gatishmëri në çdo moment.

Zjarrfikësit të cilët edhe në sofrën e iftarit, janë në gjendje gatishmërie, përkrah veprimeve të tyre të përditshme gjatë punës, një kohë ia kushtojnë edhe përgatitjes së sofrës për iftar, duke e ditur se mund ta ndërprenë ushqimin e tyre në çdo moment për shkak të ndonjë urgjence që mund të ndodh.

Kandilat e xhamisë u ndezën për iftar, ndërsa zjarrfikësit po bëjnë iftar pas një dite të lodhshme në punën e tyre.

Pas përfundimit të iftarit, ata ndan pak kohë edhe për një intervistë, për të ndarë disa nga eksperiencat e tyre të punës gjatë muajit të Ramazanit.

Rrustem Uka ushtron këtë profesion që 20 vite, edhe pse në shumë iftare ka qenë larg familjes për shkak të kujdestarisë ai thotë se ndihet mirë pasi që është i gatshëm të kujdeset për sigurinë e qytetareve në çdo kohë.

“Po, sigurisht që na ndodh sepse vetë profesioni ka specifika të tilla edhe kur ka urgjencë për neve nuk ka as iftar as drek as kurxho hiq, ka ndodh por nuk mundem me e cek ndonjë rast për shkak se jo në këtë Ramazan që na ka ndodh, por në Ramazana të tjerë e kujtoj se ka ndodh”, tha ai

“Po sigurisht se na mungon edhe familja edhe ne jemi qenie njerëzore dhe pjesa më  e madhe e stafit jemi prindër jemi familjar dhe na mungon familja, mirëpo ndihemi mirë sepse e kemi krijuar edhe një familje të mirë edhe këtu dhe e kalojmë shumë mirë dhe ndihemi mirë që jemi kujdestarë 24 orë për qytetarët tanë për sigurinë e tyre”, tha Uka.

E për Nehat Berishën, ky profesion është mjaftë kompleks për shkak të vetë natyrës që ka.

“Si profesion është shumë i vështirë është specifik edhe kompleks për shumë arsye brenda objekteve që ka temperatura të larta, pastaj edhe bartja e bombolës siç e quajmë na edhe aparati i frymëmarrjes i cili ka një peshë të caktuar dhe e shton pjesën e përgjithshme trupore si dhe uniforma ashtu edhe puna në tërmete në vërshime, zjarre fushore, etj”, u shpreh ai.

“Si intervenime gjatë këtij muaji ka pas rënie krahasuar me dy muajt e parë të vitit por është një mesatare e intervenimeve për 24 orë. Po ka ndodh shpesh sidomos në muajin e verës kur ka zjarre fushore-malore, edhe ka qenë mjaftë e vështirë për ekipin për shkak se tërë ditës agjërueshëm dhe kemi hy në temperatura të larta, sepse organizmi paraqet probleme. Me rregull është se pas çdo intervenimi çdo zjarrfikës që ka marrë pjesë në zjarre me i pijë dy litra ujë me i kompensua lëngjet që i ka humbur për shkak të djersitjes”, përfundoi ai.

Ne pas atij iftari të këndshëm me heronjtë tanë i falënderuam  për punën e palodhur që bëjnë dhe devotshmërinë e tyre./Arbresh.info/EdonaKrasniqi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme