Presidenti amerikan, Joe Biden, i tha kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se mbështetja amerikane në të ardhmen për luftën në Gazë varet nga hapat e rinj për mbrojtjen e civilëve dhe punëtorëve të ndihmës.
Biden zhvilloi një bisedë telefonike me Netanyahun më 4 prill disa ditë pasi sulmet ajrore izraelite vranë shtatë punëtorë të ndihmës në Gazë, duke ndërlikuar edhe më shumë raportin gjithnjë e më të tensionuara mes udhëheqësve.
“Ai [presidenti Biden] e bëri të qartë se Izraeli duhet të njoftojë dhe zbatojë një seri specifike të hapave konkretë dhe të matshëm për të adresuar çështjen e mbrojtjes së civilëve, të dhimbjes humanitare dhe të sigurisë së punëtorëve të ndihmës”, tha Shtëpia e Bardhë përmes një deklarate pas bisedës telefonike.
“Ai e bëri të qartë se politika amerikane sa i përket Gazës do të përcaktohet në bazë të vlerësimit tonë lidhur me veprimet e Izraelit për këto hapa”.
Biden po ashtu i tha Netanyahut se “është thelbësor një armëpushim i menjëhershëm” dhe i bëri thirrje Izraelit që të arrijë një marrëveshje armëpushimi “pa vonesa”, tha Shtëpia e Bardhë.
Biseda mes Bidenit dhe Netanyahut u zhvillua pasi organizata Kuzhina Qendrore Botërore bëri thirrje për hetim të menjëhershëm ndaj sulmit ajror izraelit që la të vrarë anëtarë të kësaj organizate, përfshirë edhe një shtetas amerikan.
Shtëpia e Bardhë tha se nuk ka në plan të kryejë hetimin e vet për këtë ngjarje, edhe pse i bëri thirrje Izraelit që të bëjë më shumë për të shmangur vrasjen dhe plagosjen e civilëve të pafajshëm dhe punëtorëve të ndihmës gjatë operacioneve që ata kryejnë në Gazë.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Mbi 100 pengje u liruan vitin e kaluar në këmbim të lirimit të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Izraeli u përgjigj me një prej sulmeve më vdekjeprurëse dhe shkatërruese ushtarake në Gazë, duke detyruar 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Si pasojë e sulmeve ajrore dhe tokësore, në Gazë janë vrarë afër 33.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi./rel
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...