Google ADS

Përfundon takimi trepalësh në Bruksel për dinarin

13:15 | 4 Prill 2024
E.K

Ka përfunduar një trepalësh në Bruksel mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petak Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ku u bisedua për gjetjen e një zgjidhjeje për pagesat me para të gatshme në Kosovë në valutën dinar, e cila u ndalua dy muaj më parë.

Palët pritet t’u adresohen mediave pas këtij takimi.

Të enjten më herët në mëngjes, Lajçak e zhvilloi një takim dypalësh me kryenegociatorin serb Petkoviq.

Bashkimi Evropian, i cili e lehtëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pret që të tejkalohen dallimet në qasje mes palëve dhe të arrihet një zgjidhje, sipas së cilës qytetarët serbë në Kosovë do të mund të vazhdojnë t’i pranojnë beneficionet nga shteti serb.

Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Takimi i sotëm do të jetë i dyti në javët e fundit mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, ndërsa i treti në përgjithësi për këtë çështje në Bruksel.

Në takimet e deritanishme, sipas BE-së, palët kanë paraqitur propozimet e tyre për gjetjen e një zgjidhjeje praktike dhe afatshkurtër për qytetarët serbë në Kosovë që paguhen në dinarë nga Serbia./REL

Të ngjashme