Finlanda e ka nënshkruar të mërkurën një pakt 10-vjeçar të sigurisë me Ukrainën, të cilës do t’i dërgojë ndihmë shtesë ushtarake në vlerë 188 milionë euro, tha presidenti finlandez Alexander Stubb, pas një takimi në Kiev me homologun e vet ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Pakti përfshin bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe përkrahje afatgjate, përfshirë mbështetje të sigurisë dhe mbrojtjes për Ukrainën kundër pushtimit tashmë dyvjeçar rus, tha zyra e Stubbit.
“Marrëveshja 10-vjeçare është dëshmi e përkushtimit afatgjatë të Finlandës për ta mbështetur Ukrainën”, tha zyra e tij në një komunikatë.
Finlanda do t’ia ofrojë Ukrainës edhe një pako tjetër me mjete mbrojtëse, mes tjerash edhe mjete të mbrojtjes ajrore dhe municion të kalibrit të lartë, tha Stubb në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn në kryeqytetin ukrainas.
Ai theksoi se pakoja e re do ta çojë në 2 miliardë euro shumën e përgjithshme të ndihmës ushtarake që Finlanda ia ka dhënë Ukrainës prej vitit 2022.
“Ne nuk po e japim këtë ndihmë ushtarake vetëm që Ukraina ta mbrojë veten, por po e japim këtë ndihmë ushtarake që Ukraina ta fitojë këtë luftë”, shtoi ai.
Ukraina varet shumë nga sistemet mbrojtëse ajrore të Perëndimit në luftën kundër armikut të vet superior dhe ka kohë që u bënë trysni partnerëve të vet ndërkombëtarë për armatim më të madh për t’i frenuar sulmet e mëdha ajrore ruse në qytetet e veta dhe në rrjetin energjetik.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha të mërkurën se partnerët e Kievit nuk po ofrojnë mjaftueshëm mjete për mbrojtje ajrore për t’u mbrojtur kundër raketave ruse, edhe pse ato i kanë më shumë se 100 sisteme mbrojtëse ajrore, Patriot, në arsenalin e vet.
Finlanda është duke e bërë gati edhe një plan katërvjeçar për ta mbështetur Ukrainën me një buxhet për zhvillim dhe rindërtim, në vlerë 290 milionë euro, tha zyra e Zelenskyt.
Finlanda ndan një kufi 1.340 kilometra të gjatë me Rusinë dhe iu bashkua NATO-s vitin e kaluar, duke i dhënë fund neutralitetit ushtarak për ta forcuar mbrojtjen kundër çfarëdo kërcënimi të mundshëm nga fqinji i vet gjigant.
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...