Google ADS

Ishte 9 vjeç kur Mallorca fitoi Kupën, Muriqi: Në atë moshë punoja, futbolli pas luftës ishte një hobi

18:03 | 3 Prill 2024
D.H

Vedat Muriqi në brigjet e Mesdheut është bërë një nga liderët e skuadrës së Mallorcas, duke e ndihmuar ekipin që të kualifikohet në finalen e katërt të Kupës së Mbretit në 108 vjet histori.

Katër ditë para finales me Athletic Bilbaon, Muriqi ka dhënë një intervistë për Mundo Deportivo, ku ka folur gjerësisht për ecurinë e ekipit dhe ndihmën që i ka dhënë trajneri Javier Aguirre.

Sulmuesi kosovar fillimisht dha një vlerësim për ecurinë e ekipit në kampionatin spanjoll dhe arritjen në finale.

“Është sezoni im i tretë këtu dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Ciudad Deportiva, mënyra e punës së trajnerit, një tjetër lojë më e shkurtër… Dy vite më parë luajtëm më drejtpërdrejt dhe tani kemi filluar të kemi lojtarë cilësorë. Kur i bashkon të gjitha këto gjëra të vogla, dalin gjëra të mira. Kjo falë presidentit, drejtorit ekzekutiv, trajnerit… Dhe lojtarëve, sigurisht. Ne po sakrifikojmë shumë për të arritur deri këtu”, u shpreh fillimisht Muriqi.

Herën e fundit që Mallorca kishte fituar Kupën, Muriqi ishte 9 vjeç. Ai u pyet nëse ndonjëherë mund ta mendonte që do të luante ndeshje këtij niveli?

“Jo, e aq më pak unë, që në atë moshë duhej të punoja. Nuk e kisha imagjinuar kurrë që një ditë do të luaja në La Liga dhe as që do të luaja në një finale me fanellën e Mallorcës. Është diçka që nuk mund ta përshkruaj me fjalë, është diçka shumë e rëndësishme për mua. Nuk do ta harroj kurrë”, tregoi sulmuesi i rritur në Prizren.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e xhaxhait të tij, të cilët i ka thënë se do të bëhet futbollist.

“Në vendin tim, pas luftës, të luash futboll ishte vetëm një hobi. Dhe ai donte që unë të përpiqesha të punoja sepse futbolli nuk do të më siguronte ushqim. Por kam sakrifikuar shumë, kam punuar shumë, kam pasur edhe shumë fat dhe në fund jam këtu ku jam”.

Muriqi, mes tjerash ka folur edhe për si e ka ndihmuar Javier Aguirre që të përshtatet brenda ekipit.

“Ai erdhi 6-8 ndeshje para fundit të sezonit. Ishim pothuajse të fundosur. Ai erdhi me një buzëqeshje, shumë miqësor, duke folur me njerëzit… Dhe ne filluam të mendonim se ai nuk e dinte se ku kishte mbërritur, sepse ishim fundosur. Por ai, me mënyrën e tij të motivimit… Dhe pastaj nuk e harroj kurrë ndeshjen e Seviljes. Humbëm Granadën 2-6 në shtëpi dhe aty na mblodhi të gjithëve dhe me fjalët e tij na dha një shuplakë të madhe në fytyrë. Dhe që nga ai moment, ne u barazuam me Sevillan, mundëm Rajon këtu dhe fituam në Pamplona. Ai është një personazh, është një figurë shumë e rëndësishme për ne. Me Aguirre në krah ju ndjeheni sikur jeni gjithmonë njëri prej tyre në fushë”.

“Ai ka shumë përvojë. Ka vija të kuqe që ai nuk dëshiron t’i kalojë askush, por është gjithashtu i hapur për të përmirësuar veten, për të dëgjuar diçka të re… Dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Shumë trajnerë kanë një taktikë dhe nuk duan të dëgjojnë asgjë tjetër. Por ai nuk është i tillë. Me të mund të flasësh, mund të kritikosh, sepse ai të dëgjon. Dhe ai ka shumë përvojë, po na ndihmon shumë dhe do të vazhdojë të na ndihmojë më shumë”. /Klankosova.tv.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme