Google ADS

Zëvendëskomandanti i KFOR-it: Kush ngatërrohet me ne do të ketë punë me organizatën më të fuqishme ushtarake në botë

14:14 | 3 Prill 2024
E.G

Zëvendëskomandanti i KFOR-it, Federico Bernacca, ka folur në kuadër të Forumit Ballkanik të Budapestit, i cili organizohet nga Instituti i Hungarisë për Çështje Ndërkombëtare.

Nga atje numri dy i Aleancës Veriatlantike në Kosovë, dërgoi një mesazh të qartë drejt atyre që mendojnë ta sulmojnë KFOR-in.

Ai  tha se kjo nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

“Nëse dikush dëshiron të ngatërrohet me pjesëtarët tanë, do të ketë punë me të gjithë organizatën ushtarake më të fuqishme në tokë”, tha italiani.

Ai kujtoi sulmin e dhunshëm të protestuesve serbë në maj të vitit 2023 në Zveçan, ku u lënduan rëndë dhjetra ushtarë të KFOR-it.

Bernacca përmendi edhe luftën në Ukrainë.

Ai theksoi se kjo shkaktoi kërcënime të rënda të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, duke përkeqësuar gjithashtu edhe situatën nëpërmjet promovimit të lajmeve të rreme dhe krijimit të një vakuumi social dhe politik që mund të shfrytëzohet nga faktorë irracionalë ose emocionalë, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë.

“Nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian, problemet mund të zgjidhen përgjithmonë”, tha ai.

Federico Bernacca, ndër të tjera tha se kjo nuk do të thotë që KFOR-i të mos i mbajë sytë hapur 24/7 në çdo cep të territorit të Kosovës./Arbresh.info/

Të ngjashme