Të enjten takimi Bislimi-Petkoviq, analistët nuk presin rezultate

14:09 | 2 Prill 2024
E.K

Këtë të enjte në Bruksel, do të takohen kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, për të diskutuar sërish dhe në tentim për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit serb. Analistët vlerësojnë se as nga ky takim, nuk do të ketë rezultate, por megjithatë konsiderojnë se palët mund të pajtohen për disa detaje.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, do të ulen sërish në tavolinë të bisedimeve të enjten në Bruksel, në përpjekje që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e dinarit serb. Njohës të rrethanave politike në vend kanë mendime të ndryshme nëse do të këtë rezultate ky takim apo jo. Arta Tahiri i ka thënë Radio Kosovës se nuk pret asgjë konkrete nga ky takim, pasi sipas saj, palët janë të interesuara ta zvarrisin dialogun.

“Ky prolongim i vazhdueshëm po tregon që nuk duan të kenë zgjidhje asnjëra palë për sa i përket dinarit. Takimet duhet të bëhen për çështje shumë ma madhore, pikërisht për të mos rënë në status quo çështja e dialogut Kosovë Serbi, siç ka ndodhur edhe më parë. Emisarët e ngarkuar në ndërmjetësim të dialogut janë të interesuar të kenë diçka të prekshme nga zbatimi i marrëveshjeve të më hershme”, ka deklaruar Tahiri.

Në anën tjetër, Dorajet Imeri vlerëson se në takimin e së enjtes edhe mund të këtë ndonjë dakordim ndërmjet palëve, por thotë se palëve u mungon gatishmëria për zgjidhje.

“Ka një mundësi reale që palët mund të dakordohen në disa detaje por, natyrisht nuk vërehet gatishmëri mes tyre që të ketë një bazë të caktuar të mirëkuptimit reciprok, dhe kjo është për shkak të qasjes që është aplikuar që nga fillimi i negociatave”, tha Imeri.

Takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq, më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian është mbajtur me 25 mars, pikërisht për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit, mirëpo, përfundoi pa rezultate. Serbia po kërkon nga Kosova që të shtyjë zbatimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, për ndalimin e përdorimit të dinarit, kurse Kosova po këmbëngul se është në të drejtën e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme