Sulmohet me dronë infrastruktura industriale e rajonit rus Tatarstan

12:13 | 2 Prill 2024
E.K

Infrastruktura industriale e rajonit të Rusisë, Tatarstan, ishte cak i sulmeve me dronë të martën, ku për pasojë u plagosën disa njerëz, thanë zyrtarët lokalë.

“Mëngjesin e sotëm, ndërmarrjet industriale të republikës, Yelabuga dhe Nizhnekamsk, u sulmuan nga dronët. Nuk ka dëme të rënda, procesi teknologjik i ndërmarrjeve nuk u prish”, shkroi në Telegram Rustam Minnikhanov, lideri i republikës autonome të Rusisë, Tatarstan.

Yelabuga është e shpallur si zonë e veçantë ekonomike – Alabuga – pasi është vend i më shumë se 20 ndërmarrjeve industriale, përfshirë i fabrikave të inxhinierisë mekanike dhe të përpunimit të metaleve.

Raportohet se ky vend është duke prodhuar edhe dronë.

Në Nizhnekamsk ndodhet rafineria më e madhe e karburanteve.

Zyra për media e Alabugas tha se njëra prej konvikteve të saj u dëmtua gjatë sulmit dhe se dy persona u plagosën, raportoi media e kontrolluar nga shteti rus, RIA Novosti.

Në përgjithësi, shtatë persona u lënduan nga sulmet me dronë, raportuan media ruse.

Askush nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për këto sulme. Ky rajon ndodhet më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit mes Ukrainës dhe Rusisë.

“RBK-Ukraine” raporton, duke cituar burimet e veta, se sulmi në fabrikën e dronëve në Alabuga u organizua nga Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës (HUR).

Në javët e fundit, Ukraina ka kryer sulme në rafineritë ruse të naftës dhe në ndërtesat e tjera industriale duke përdorur dronë me rreze të gjata veprimi.

Një sulm më 17 mars i kishte për cak dhjetëra rafineri ruse të naftës, që raportohet se përbënin rreth 12 për qind të kapacitetit të Rusisë për përpunimin e naftës./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme