Bien eksportet: Prodhuesit thonë se kanë kërkesa, por jo kushte

08:25 | 2 Prill 2024
R J

Sikur industria e prodhimit të kishte më shumë hapësirë për të ushtruar aktivitetin e saj, vlera e eksporteve të Kosovës do të rritej dukshëm, thotë sipërmarrësi Bujar Rama.

Prej vitesh, ai udhëheq kompaninë “Behari” në Drenas, e cila merret me prodhimin e dyerve të garazheve.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se kompania e tij nuk ka kapacitete t’u bëjë ballë të gjitha kërkesave për eksport, ndaj kërkon mbështetjen e institucioneve.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës thotë se bizneset janë mbështetur me qindra miliona euro vitin e kaluar, me qëllim të rritjes së eksporteve.

Por, pavarësisht kësaj, vlera e tyre ra në vitin 2023 krahasuar me një vit më herët.

Sa ishte vlera e eksporteve?

Kosova përballet me deficit të lartë tregtar prej vitesh, që do të thotë se importon shumë më shumë sesa që eksporton.

Mesatarisht në vit, ajo importon mallra në vlerë prej 5 miliardë eurosh, ndërsa eksporton nën 1 miliard.

Vitin e kaluar, shifra e eksporteve ra në rreth 820 milionë euro nga rreth 920 milionë sa ishte në vitin 2022, apo për rreth 100 milionë, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës.

Zyrtarisht nuk jepet asnjë informacion se përse ka ndodhur kjo.

Mbi 20 miliardë euro importe në pesë vjet

Nga viti 2019 deri në fund të korrikut, 2023, vlera e mallrave të importuara nga Kosova ka arritur në mbi 20 miliardë euro. Gjatë së njëjtës periudhë kohore, eksportet e shtetit ishin pak më shumë se 3 miliardë euro.

Ministria e Industrisë thotë se është duke e përmbushur programin e Qeverisë për vitet 2021-2025, i cili parasheh “angazhim e përkrahje” të industrisë prodhuese, përkatësisht “krijim të kushteve të favorshme, investime në kapacitete prodhuese, avancim të teknologjisë prodhuese dhe përpunuese” e të tjera.

“Vetëm gjatë vitit të kaluar janë mbështetur 71 biznese për blerje të makinerive prodhuese, në vlerë prej 1.7 milion eurosh, ndërsa 400 milionë euro janë ndarë në formë subvencionimi për dhjetë kompani përfituese, me qëllim të rritjes së eksportit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Industrisë

Për këtë qëllim, sipas kësaj ministrie, edhe 100 kompani të tjera prodhuese janë përkrahur për pjesëmarrje në 18 panaire ndërkombëtare, “duke promovuar mbi 900 produkte, shërbime dhe paketa turistike në vlerë prej 1.3 milion eurosh”.

Përmes një njoftimi më 27 mars, kjo ministri u bëri thirrje ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që të aplikojnë për grante këtë vit, në vlerë prej 2.5 milionë eurosh.

Bizneset duan mbështetje më të madhe

“Sikur të më ndihmonin institucionet”, Rama thotë se vlera e eksporteve të të tij jashtë Kosovës do të trefishohej.

Ai nuk dëshiron të tregojë se sa eksporton brenda një viti, por thotë se kërkesat për prodhimet e kompanisë së tij, qoftë nga vendet e rajonit, qoftë nga ato të Bashkimit Evropian, janë në rritje.

Kompania e tij gjendet në Parkun e Biznesit në Drenas – pjesa qendrore e Kosovës.

Ky park u ndërtua në vitin 2010 nga Ministria e Industrisë, e cila ofroi infrastrukturë fizike për bizneset, si: rrugë, rrymë, ujë e kanalizim.

Aktualisht, në këtë sipërfaqe prej 24 hektarësh janë të vendosura 41 biznese me veprimtari të ndryshme.

Kompania e Ramës zuri vend aty nga viti 2011, në një sipërfaqe prej 1.200 metrash katrorë, dhe ka 60 punëtorë.

Ai thotë se me kalimin e viteve ka rritur si kapacitetet prodhuese, ashtu edhe numrin e punëtorëve, dhe se ka kërkuar një hapësirë më të madhe për shfrytëzim – deri në 3.500 metra katrorë – për t’i plotësuar, siç thotë, kërkesat në rritje të klientëve.

Për këtë qëllim thotë se iu drejtua edhe Ministrisë së Industrisë.

Por, “të gjitha kërkesat janë zvarritur, nuk më kanë dhënë hapësirë tjetër”, thotë Rama.

Ai tregon se, së voni, ka blerë vetë sipërfaqen që i nevojitet dhe pajisjet në vlerë prej më shumë se 400 mijë eurosh. Për sistemimin e tyre thotë se i është dashur të marrë një objekt me qira.

‘’Nuk e di kur mund ta ndërtoj [objektin e ri], për shkak të procedurave të shumta për leje. Sikur shteti të më ofronte kushte, do ta rrisja tashmë vlerën e eksportit, do të punësoja numër më të madh të punëtorëve, e jo të merrem me ndërtime”, thotë Rama.

Kujtim Gjevori, anëtar i Bordit të Klubit të Prodhueseve të Kosovës, pohon se mungesa e hapësirës është një nga sfidat e shumë kompanive prodhuese.

Sipas tij, Ministria e Industrisë përpiqet që në një park biznesi të vendosë sa më shumë kompani – “vetëm për numra”.

“Më e leverdishme do të ishte t’u jepej më shumë hapësirë kompanive që i kanë siguruar tregjet ndërkombëtare. Edhe nëse janë në numër më të vogël”, thotë Gjevori

Ai shton se edhe kompania e tij “Scampa”, e cila merret me prodhimin e qeseve të plastikës dhe gjendet në Parkun e Biznesit në Drenas, ka mungesë hapësire.

Sipas tij, vullneti i institucioneve për t’i ndihmuar bizneset, nuk mungon, porse ato “nuk arrijnë t’i identifikojnë kompanitë e duhura për mbështetje”.

“Sepse, çdo qeveri mundohet të bëjë numra, ndihmon kompanitë fillestare… Kjo është mirë, sepse edhe ato rriten dhe zhvillohen, por prioritet duhet të jenë lehtësirat për kompanitë prodhuese që kanë arritur t’i sigurojnë tregjet ndërkombëtare dhe t’i ruajnë ato”, thotë Gjevori.

Këtu, sipas tij, “qëndron edhe problemi” me rënien e eksporteve.

Pse janë të rëndësishme eksportet?

Eksportet përfshijnë ato mallra që prodhohen brenda territorit të një vendi dhe, rrjedhimisht, janë pjesë e të ardhurave kombëtare.

Eksportet dhe një bilanc pozitiv i tregtisë janë faktorë të rëndësishëm për suksesin dhe rritjen e ekonomisë së vendit.

Në Kosovë janë rreth 2.400 kompani prodhuese, por vendi importon shumë më shumë sesa që eksporton.

Në raportin “Identifikimi i produkteve me potencial për eksport dhe zëvendësim të importit”, i publikuar nga Ministria e Industrisë në tetor të vitit 2023, thuhet se në vitin paraprak, produktet që janë eksportuar më së shumti, kanë qenë: dyshekët, pllakat, dyert, dritaret dhe kornizat e tyre plastike.

Në raport përmendet, po ashtu, se janë identifikuar 36 prodhime të tjera potenciale për zëvendësimin e importit. Shumica e tyre janë në kategorinë e ushqimeve e pijeve dhe pasohen nga prodhimet e drurit dhe tekstilit.

Eksportet e Kosovës përqendrohen më së shumti në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Gjermani, Zvicër dhe Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, vendi ka importuar produkte në vlerë prej 5.7 miliardë eurosh.

Importet vijnë kryesisht nga vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian dhe përfshijnë një gamë prodhimesh – nga ushqimore deri tek ato ndërtimore.

Për këtë vit, Banka Botërore parashikoi rritje të prodhimit të brendshëm bruto në Kosovë për 3.9 për qind.

Të ngjashme