Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ringjalli të hënën masën për mbylljen e stacionit televiziv satelitor të Katarit “Al Jazeera” në Izrael, duke thënë përmes zëdhënësit të partisë së tij se parlamenti do të mblidhet në mbrëmje për të ratifikuar ligjin e nevojshëm.
Pas kësaj, Netanyahu “do të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbyllur Al Jazeeran në përputhje me procedurën e përcaktuar në ligj”, thuhet në deklaratën e partisë Likud.
Izraeli ka akuzuar më parë këtë medium për nxitje kundër Izraelit në mesin e shikuesve arabë.
As zyra kryesore e stacionit në Izrael dhe as qeveria e Katarit në Doha nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.
Al Jazeera ka akuzuar më parë Izraelin për shënjestrim sistematik të zyrave dhe personelit të tij.
Zyrtarët izraelitë janë ankuar prej kohësh për mbulimin e Al Jazeera-s, por nuk kanë ndërmarrë veprime, duke pasur parasysh financimin nga Katari të projekteve të ndërtimit palestinez në Rripin e Gazës – i parë nga të gjitha palët si një mjet për të shmangur konfliktin.
Më 7 tetor në këtë zonë nisi lufta, pasi militantët e udhëhequr nga Hamasi, grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz.
Izraeli u përgjigj me një ofensivë ajrore, tokësore dhe detare që ka vrarë të paktën 32,782 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.
Doha ka ndërmjetësuar negociatat për armëpushim, sipas të cilave Izraeli ka rimarrë disa nga ata që ishin marrë peng.
Megjithatë, bisedimet për një armëpushim të dytë të propozuar duket se nuk po shkojnë askund. Në janar, Netanyahu bëri thirrje publikisht që Katarit t’i bëhet presion për të ushtruar më shumë presion ndaj Hamasit. Katari është nikoqir i zyrës politike të grupit dhe disa zyrtarëve të lartë të Hamasit.
I pyetur nëse kërcënimi kundër Al Jazeera-s mund të jetë pjesë e një presioni të tillë, një zëdhënës i qeverisë izraelite, Avi Hyman, nuk u përgjigj drejtpërdrejt, megjithëse ai tha se mediumi ka shpërndarë “propagandë për shumë e shumë vite”.
Ministri izraelit i komunikimit akuzoi mediumin më 15 tetor për nxitje pro-Hamasit dhe ekspozim të trupave izraelite në prita.
Al Jazeera dhe qeveria e Dohas nuk iu përgjigjën këtyre akuzave.
Muajin pasardhës, Izraeli dukej se e kurseu stacionin e Katarit, në vend të kësaj urdhëroi t’i jepte fund transmetimeve lokale të një kanali më të vogël pro-iranian libanez, Al Mayadeen, sipas rregullave emergjente të medias.
Projektligji që pritet të ratifikohet të hënën kaloi leximin e tij të parë në Knesset në shkurt./rel
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?
Drenusha- Rovenës: Ti doje të kishe diçka me Atillën, edhe m...
Krasniqi-kreut të SBASHK’ut: Sfidave të mësimdhënësve iu vje...
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit