Pas subvencioneve për prindërit dhe fëmijët, Kamenica në përgatitje të pakos së ndihmave për çiftet e reja

10:09 | 1 Prill 2024
A Z

Komuna e Kamenicës ditë më parë ka ndarë një pako të re të ndihmave për prindërit dhe fëmijët e sapolindur në vlerë prej 300 euro.

Megjithatë, kjo komunë nuk e ka në plan të ndalet me këtë pako.

Kryetari Kadri Rahimaj, në një intervistë për Arbresh.info ka paralajmëruar se është në përgatitje të ndihmave për çiftet e reja dhe për prindërit që sjellin në jetë foshnje.

Ai thotë se kjo komunë po ashtu, është e para në Kosovë që në çerdhe publike ofron ushqim të shëndetshëm për fëmijët.

“Ndoshta për dy çështje jam shumë i lumtur në raport me nivelin e Qeverisjes. E para është që Komuna e Kamenicës është komuna e parë që në çerdhet publike ofron ushqim të shëndetshëm për fëmijët. Kjo nënkupton që ne dëshirojmë të rrisim fëmije të shëndoshë por nënkupton edhe një barazi edhe sociale përbrenda vet fëmijëve dhe familjeve. Sepse, jo çdo familje ka mundësinë që të konsumoj ose ti ofroj një vaktë me ushqime të shëndosha fëmijës së tij”, thotë i pari i Kamenicës.

Por, Rahimaj tregon se “Kamenica Babybox” është një pako që përfshinë një pako me rroba nga mosha 0 deri në moshën 1 vjeçare për të gjitha stinët dhe një kujdesej shëndetësore për fëmijën dhe për nënën.

“Prandaj gjatë kohës që qëndron në çerdhe një fëmijë gjatë gjithë kohës do të ushqehet me ushqim të shëndetshëm është njëra prej politikave që më gëzon më së shumti, ndërsa politika e dytë është edhe subvencionimi i nënave lehone që e para ka qenë me mjete financiare, për fëmijën e parë ka qenë 200 euro për fëmijën e dytë 250 euro për fëmijën e tretë 300, ndërsa kësaj i është bashkangjitur së fundmi edhe njëra nga politikat më të reja në Kosovë e që uroj të replikohet edhe në komunat e tjera. Është edhe ‘Kamenica Babybox’ që përfshinë një pako me rroba nga mosha 0 deri në moshën 1 vjeçare për të gjitha stinët dhe një kujdesej shëndetësore për fëmijën dhe për nënën”, thotë ai.

Sipas të parit të kësaj komune, kjo nuk është e vetmja, sepse do ketë risi në aspektin e kujdesit ndaj çifteve të reja dhe prindërve që sjellin në jetë një foshnje.

“ Vet pako është e dizajnuar në atë formë që mund të shfrytëzohet edhe si shtrati i parë i bebes. Kemi dashur që të jetë në funksion të plotë për fëmijët dhe për nënat dhe kjo pako ka një vlerë prej 300 euro dhe kemi marr jashtëzakonisht shumë komente dhe mezi presin që ta gëzojnë të gjithë prindërit e rijnë që sjellin në jetë një foshnje. Por, kjo nuk është e vetmja, ne prapë do të sjellim risi në aspektin e kujdesit ndaj çifteve të reja dhe prindërve që sjellin në jetë një foshnje. Uroj që procedura të na shkojë mbarë dhe më pas edhe të flasim më gjerësisht”, tregon Rahimaj./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme