Degradimi i Erenikut, kërkohet masa të ashpra ndëshkimore

07:29 | 1 Prill 2024
E.G

Në të kaluarën jo shumë të largët, përgjatë gjithë shtratit të lumit Ereniku, rrjedha e ujit përveç tjerash ka qenë edhe e pijshme. Por, për shkak të gjendjes aktuale, hedhjes së mbeturinave edhe inerte, ky ujë nuk pihet më.

“Unë megjithatë mendoj se ndëshkimi kishte me qenë masa më e mirë për me i vetëdijesuar të pandërgjegjshmit, sepse edhe po ta pastroj komplet komuna pas një muaj dy prapë do të jetë në të njëjtën gjendje. Ne kemi pastruar si fshat disa herë, por megjithatë prapë ka ardhur në gjendje çfarë është. Edhe unë kam has në traktorë të fshatrave tjera, dhe ju kam thënë mos bëni kështu, ndërsa më kanë thanë se a nuk ke ti punë tjetër. Po këtu vërtet duhet me pas masa ndëshkuese aq të rënda sa që tjetër mos me i ra kujt ndërmend me hedhë, sepse vërtet është krim ndaj natyrës kjo gjendje çfarë është këtu për momentin”, deklaroi Demë Sadiku.

Pakënaqësi për gjendjen e lumenjve, e sidomos në lumin Erenik kanë shprehur edhe zyrtarët e Kompanisë për grumbullimin e mbeturinave “Çabrati”.

“Ne kemi bërë pastrimin e pjesërishëm të Erenikut ku na ka ndihmuar edhe KFOR-i turk, mirëpo prapëseprapë ka persona të papërgjegjshëm që hedhin mbeturina nëpër lumenj që është jashtë çdo ligji, jashtë çdo logjike”, deklaroi Behar Ferizi, kryeshef ekzekutiv i Ndërmarrjes “Çabrati”.

Ndërsa zyrtarët komunalë thonë se masat ndëshkimore ndaj banorëve keqbërës duhet të shtohen edhe më shumë por për këtë duhet të rritet edhe numri i Inspektorëve në terren.

“Ne si drejtori kemi marrë veprime të kohëpaskohshme, kem intervenuar edhe kemi shqiptuar edhe gjoba”, tha Hysni Muhadri , drejtor i Drejtorisë për Inspeksion.

Një situatë edhe më të rëndë përgjatë shtratit të Erenikut paraqet dëmtimi i pronave bujqësore sidomos pas vërshimeve të rrëmbyeshme të cilat vijnë si pasojë e shfrytëzimit ilegal të zhavorrit, duke e shkatërruar shtratin e lumit në përmasa gati të pariparueshme./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme