Rama publikon pamje nga projekti i çerdhes së re te Mati 1

14:29 | 31 Mars 2024
E.H

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka bërë të ditur se është zgjedhur projekti fitues në konkursin ndërkombëtar për koncept-dizajn të çerdhe-kopshtit në Lagjen Mati 1.

“Kryeqyteti po fillon një epokë të re me ambiente edukative moderne gjithëpërfshirëse, ku fëmijët do të përgatiten jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook, përcjell Arbresh.info.

Po ashtu, Rama ka ndarë edhe disa pamje nga projekti i çerdhes teksa thotë ndërtimi ka në thelb rehatinë e shtëpisë.

“Në thelb të konceptit të “Folesë” është të kuptuarit se ambienti luan rol thelbësor në zhvillimin e fëmiut. Është tanimë e dokumentar rëndësia e krijimit të një ambienti të sigurt, të cilin fëmiu e njeh, në rrënjosjen e ndjenjave të sigurisë dhe përkatësisë. Duke dizajnuar hapësira që u përgjajnë atyre të shtëpisë, ne kemi synuar që ta mbështesim zhvillimin kognitiv dhe emocional të fëmiut, duke bërë që dalja e tyre e parë midis të tjerëve të jetë më miqësore”, ka shkruar Rama.

“Filozofia prapa dizajnit të “Folesë” ka në thelb krijimin e një kapërcimi pothuaj të pavërejtshëm midis rehatisë së shtëpisë dhe hapësirave edukative në çerdhe-kopsht. Çdo aspekt i dizajnit, përfshirë atë të brendshëm, që prej materialeve, formave dhe ngjyrave, është krijuar me kujdes ashtu që të krijojë idenë e përkatësisë dhe ngrohtësisë”, shtoi ai.

“Jemi posaqërisht krenar që në një konkurencë ndërkombëtare koncepti i dy arkitektëve vendor fiton garën dhe vë gurthemelin e një epoke të re për arsimin dhe arkitekturën në kryeqytet. Urime kopështit shumëngjyrësh të Matit”, përfundoi shkrimin Rama./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme