Vazhdon të shtyhet votimi i Projektligjit për shëndetin riprodhues

17:12 | 28 Mars 2024
E.G

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta votojë në lexim të dytë Projektligjin për shëndetin riprodhues (IVF) gjatë një seance të enjten, për shkak të mungesës së deputetëve në votim.

Në sallë ishin të pranishëm 61 deputet, mjaftueshëm për ta kaluar legjislacionin, por votimi u braktis nga dy deputetë të partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Kjo është hera e pestë radhazi që pushteti tenton t’i votojë amendamentet e propozuara nga deputeti i Vetëvendosjes, Visar Korenica.

Votimi u braktis edhe nga partitë kryesore opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë.

Votimi ka ngecur te amendamenti i katërt, për të cilin deputeti Visar Korenica kishte kërkuar të bëheshin ndryshime gjatë një seance më 22 shkurt.

Korenica kishte kërkuar që prej legjislacionit duhet të largohen tre paragrafë të cilët parashohin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).

Si referencë për individë, ai i ka përmendur gratë e pamartuara dhe partnerët e gjinisë së njëjtë.

Në tetor të vitit të kaluar, pas shumë përpjekjesh, Kuvendi kishte arritur që me 63 vota për, një kundër dhe katër abstenime ta miratonte në lexim të parë këtë Projektligj.

Ky legjislacion ua mundëson edhe grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë përmes metodës të fertilizimit të asistuar, i njohur si IVF, në klinikat publike.

Ky ligj ishte kundërshtuar ashpër nga një pjesë e deputetëve.

Sipas Projektligjit, të drejtën e shfrytëzimit të IVF-së e kanë edhe gratë e pamartuara, mbi 18 vjeç, që janë në gjendje të mirë shëndetësore e sociale dhe janë të afta “për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore”.

Kosova synon që të ketë një repart të posaçëm për IVF-në në Qendrën Klinike Universitare (QKUK). Për pajisjet e nevojshme për këtë repart, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë 1.5 milion euro./Radio Evropa e Lirë/

Të ngjashme