Bayern ultimatum Daviesit, reagon menaxheri i tij

15:24 | 28 Mars 2024
D.H

Drejtuesit e Bayern Munich janë lodhur me “lojërat” e Alphonso Davies, i cili ka kontratë me bavarezët deri në 2025. Reali i Madridit ndjek situatën, ndërkohë që anësori i majtë kërkon 20 mln euro në sezon nga kontrata e re.

Por, kampionët e Gjermanisë nuk shkojnë më shumë se shifra 14 mln euro në sezon, teksa prej kohësh kanë gati një kontratë deri në 2029. Dhe tani presin vendimin final të kanadezit.

Nëse lojtari refuzon, atëherë Bayerni do të detyrohet ta shesë në verë për një shumë rreth 50 mln euro. Për të mos e humbur me parametra zero gjatë verës së vitit 2025. Dhe Reali mbetet favorit për të firmosur me Davies.

“I kemi bërë lojtarit një ofertë shumë konkrete, që tregon gjithë mirënjohjen tonë. Në një moment të caktuar të jetës duhet të thuash po ose jo”, u shpreh Max Eberl, CEO i klubit gjerman.

Por ultimatumi 14-ditor nuk i ka pëlqyer aspak menaxherit të Davies, Nick Househ, i cili nuk është dakord me presionin e Bayernit për të marrë një vendim sa më të shpejtë.

“Është e padrejtë të marrësh ultimatum nga klubi. Ne do të marrim vendimin përfundimtar në fundin e sezonit. I cilësoj të padrejta sulmet ndaj futbollistit.

Ne ishim shumë afër rinovimit një vit më parë, por drejtuesit e Bayernit u zëvendësuan të gjithë. U bënë 7 muaj që nuk dëgjojmë asgjë prej drejtuesve të rinj.

Edhe pse unë personalisht jam përpjekur gjatë kësaj kohe të kontaktoj me drejtuesit. Tani po na jepet një ultimatum dhe supozohet të reagojmë brenda dy javësh…

Kjo sepse klubi është nën presion dhe iu desh shumë kohë për të ripozicionuar veten në menaxhim? Nuk është farë e drejtë. Po flasim për një kontratë tepër të rëndësishme për karrierën e Davies.

Dhe neve na duhet të vendosim pa e ditur se cili do të jetë trajneri i ri i Bayernit apo si do të jetë skuadra sezonin e ardhshëm… E përsëris: është e padrejtë të reagojmë ndaj ultimatumit të klubit”, përfundoi menaxheri i 23-vjeçarit./ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme