Kërcënimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se nëse shteti i Kosovës pranohet në Këshillin e Evropës (KiE), Serbia do të largohet, janë lojëra politike dhe krejtësisht të parëndësishme.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend.
Madje, ata pohojnë se Serbia nuk ka llogari të largohet nga secili institucion ndërkombëtar në të cili do të anëtarësohet Kosova.
Analisti politik, Mazllum Baraliu, thotë se këto janë vetëm lojëra të shtetit serb dhe të politikanëve të saj.
“Kërcënimet e Vuçiqit janë lojëra të politike të ndyra të vazhduara shekullore të Serbisë dhe politikanëve të saj, të cilët dhe Serbia vetë vazhdimisht po bën lojëra diplomatike dhe shantazhe ka ditur të notojë politikisht dhe të avancojë në statusin e saj edhe diplomatik edhe ndërkombëtar”, thotë Baraliu për Arbresh.info.
Sipas tij, Vuçiq po bën shantazhe, po tallet dhe nënçmon si dhe po bën lojëra me perëndimin.
Politika përkëdhelëse e perëndimit ndaj Serbisë, sipas tij, është totalisht e gabuar dhe fatale.
“Kjo politikë e perëndimit ndaj Serbisë, është totalisht e gabuar dhe fatale dhe po e përkëdhelin edhe atëherë kur ai(Vuçiqi) po shantazhin po kërcënon në sytë e Evropës po thotë që donë luftë po kërkon luftë”, thekson Baraliu.
Kërcënimet e Vuçiqit, ai i quan dokrra.
“Po flet dokrra dhe po flet pamflete diplomatikët të cilat Evropa do të duhej t’i merrte seriozisht dhe të ia ndalte hovin , jo me e josh me politikën e karotës por thjesht do të duhej izoluar Serbia dhe do të duhej treguar vendin ku e ka që nuk munden me dy karrige, e me dy lugë dhe të ushqejë veten dhe të dëmtojë të tjerët”, shprehet Baraliu.
Muhaxhiri: Kërcënimet e Vuçiqit për largim nga KiE janë vetëm deklarata formale
Analisti Artan Muhaxhiri, nuk beson se Serbia largohet nga Këshilli i Evropës, sipas tij, do të humbte shumë si shtet.
Ndërkohë, kërcënimet e Vuçiqit për Muhaxhirin janë krejtësisht të parëndësishme.
Sipas tij, Serbia është e vetëdijshme që pranimi i Kosovës në institucionet ndërkombëtare është vetëm çështje kohe, dhe se shteti serb nuk ka llogari të largohet nga secili institucion.
Kërcënimet e Vuçiqit, ai i sheh vetëm si deklarata formale.
Kurse, për politikën e perëndimit ndaj Serbisë, Muhaxhiri, thotë se është strategji e tyre që ta largon Serbinë nga ndikimi rus.
“Është strategji e perëndimit që ta largojë Serbinë nga ndikimi rus, dhe ky do të ishte një hap i madh për normalizimin e rajonit të Ballkanit.
Mirëpo Serbia ka interesa të mëdha edhe ushtarake dhe politike edhe ekonomike nga Rusia, kështu që kjo duhet të bëhet gradualisht”, shprehet ai për Arbresh.info.
Sipas tij, sa më shumë që Serbia i largohet Rusisë, aq më shumë i afrohet perëndimit.
“Dhe që është e natyrshme që sa më shumë Serbia i largohet Rusisë aq më tepër i afrohet perëndimit dhe ky është synimi kryesor që të ketë një Serbi demokratike dhe jo një Serbi autoritare siç është aktualisht sepse kjo i shkon në dëm gjithë rajoni tonë dhe planeve ndërkombëtare për Ballkanin”, shton ai.
Ndërsa, një sulm nga Rusia ndaj Kosovës, Muhaxhiri e sheh si të pamundur, pasi çdo sulm i tyre ndaj Kosovës do të llogaritej si sulm ndaj NATO-s.
“Mundësia e sulmit është e pamundshme, që të ketë luftë të përmasave të madha për shkak të prezencës së NATO-s, çdo sulm i Serbisë ndaj Kosovës do të ishte sulm edhe ndaj NATO-s. dhe fatura që do të duhej ta paguante Serbia në këtë rast do të ishte katastrofale mund të ketë incidente mund të ketë provokime, por luftë në përmasa të mëdha nuk mund të ketë. Serbia është pakrahasimsht e pafuqishme sesa NATO dhe e ka leksionin e vitit 1999 kur ka hy në betejë dhe si ka përfunduar dhe e njëjta gjë do t’i ndodhte edhe tash”, pohon Muhaxhiri.
Ndryshe, të premten e 22 marsit, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se largimi i shtetit që drejton nga Këshilli i Evropës është një nga mundësitë në rast se Kosova pranohet në këtë organizatë ndërkombëtare.
“Ju e bëni atë [pranimin e Kosovës] dhe pastaj do të shohim nëse Serbia qëndron në KiE ose jo. Ju nuk do ta merrni vesh këtë përpara se ta pranoni Kosovën në Këshill, kështu që do të shohim. Do të shohim, ndoshta ju e dëshironi ta keni Prishtinën në KiE, më shumë sesa që ta keni Beogradin dhe Serbinë”, kishte deklaruar Vuçiq.
Vetëm të nesërmen( të shtunën) Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ishte shprehur se sigurisht që Serbia nuk do të largohet nga kjo organizatë.
“Sigurisht që Serbia nuk do të largohet. Biseda nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kë do të pranojnë. Nuk e di se çfarë flet kundër anëtarësimit të Kosovës”, kishte shkruar ajo.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.
Këshilli i Evropës, i cili është themeluar në vitit 1949, është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...