Ka filluar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës Takimi i 11-të i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë.
Nën drejtimin e bashkëkryesuesve, Mimoza Kusari Lila dhe Lukas Mandl, sesioni i parë trajtoi një varg temash që lidheshin me zhvillimet aktuale në Kosovë dhe perspektivën e saj euro-atlantike.
Në fjalën e tij para anëtarëve të këtij komisioni, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, vlerësoi rolin e BE-së në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, promovimin e rritjes ekonomike dhe mbështetjen e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, duke shprehur përkushtimin për të punuar së bashku në adresimin e sfidave dhe avancimin e mëtejshëm të integrimit të Kosovës në BE, përcjell Arbresh.info.
Duke përmendur sfidat që Kosova ka para vetes, Konjufca theksoi nevojën e vazhdimit të zbatimit të reformave në lidhje me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Ne kemi treguar tashmë përkushtimin tonë për të forcuar qeverisjen demokratike dhe për të siguruar që institucionet tona të jenë transparente, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një komponent i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal. Ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Ne besojmë se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është pjesa thelbësore e marrëveshjes përfundimtare gjithpërfshirëse, si një parakusht i domosdoshëm që të dyja vendet të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”, theksoi kryetari Glauk Konjufca, duke shtuar se përkushtimi i palëkundur i Kosovës për anëtarësimin në BE qëndron si një fanar i shpresës, duke reflektuar aspiratat e qytetarëve të saj për demokraci dhe prosperitet.
Kryeparlamentari tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE ishte dhe vazhdon të jetë një moment historik, i rëndësishëm, drejt integrimit më të thellë, duke theksuar respektimin e kritereve të Kopenhagës dhe vlerave evropiane.
Konjufca potencoi gjithashtu se miratimi i kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nënvizon përkushtimin e vendit ndaj bashkëpunimit dhe integrimit ndërkombëtar. Të drejtat themelore, veçanërisht të drejtat e pakicave dhe grave, sipas tij, janë parime themelore të përkushtimit të Kosovës për barazi dhe gjithpërfshirje. Ai tha se strategjitë që synojnë avancimin e të drejtave të komuniteteve pakicë janë shembull i përkushtimit të vendosur të Kosovës për të siguruar mundësi të barabarta për të gjithë individët, pavarësisht nga përkatësia etnike, gjinia apo orientimi seksual.
“Si përfundim, Kosova mbetet e palëkundur në përpjekjet e saj për integrim evropian, demokraci dhe barazi. Ne besojmë se BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe u bëjmë thirrje vendeve anëtare të BE-së që t’i japin përparësi zgjerimit dhe të japin përfitimet e premtuara pasi të jenë plotësuar kushtet”, tha në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.
Bashkëkryesuesja e KPSA-së, Mimoza Kusari-Lila takimin e sotëm e konsideroi një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
Duke kujtuar masakrat që shteti i Serbisë kreu mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare dhe bombardimet e NATO-s mbi ish-Jugosllavinë, në 25-vjetorin e tyre, Kusari Lila tha se duke parë luftën kaq afër nesh, në Evropë, na kujtohet sasia e punës që duhet bërë të gjithë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin.
“Duke pasur parasysh se viti 2024 është vit zgjedhor për Parlamentin Evropian dhe zgjedhjet janë në afërsi, ju duke qenë këtu me ne, flet me zë të lartë për angazhimin tuaj të palëkundur për zgjerimin e BE-së dhe për qëndrimin pranë Kosovës në këto momente të rëndësishme dhe vlerësimin e hapave që po bëjmë, duke shkuar drejt integrimit në BE”, theksoi bashkëkryesuesja Mimoza Kusari Lila.
Ajo kujtoi edhe njëherë sulmin terrorist nga grupi paramilitar i Serbisë në veri të Kosovës dhe vrasjen e majorit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, akt ky i cili, siç tha ajo, nxori në dritë fytyrën dhe synimin e vërtetë të Serbisë, për të penguar komunitetin serb në Kosovë të integrohet dhe gjithashtu për të sulmuar dhe destabilizuar jo vetëm Kosovën, por paqen dhe sigurinë në mbarë rajonin.
Kusari Lila tha se komuniteti ndërkombëtar e ka marrë parasysh progresin tonë, ku Kosova ka shënuar përmirësim të dukshëm në indekset e ndryshme ndërkombëtare.
“Ndërsa shikojmë drejt së ardhmes, rruga jonë mbetet e vendosur drejt një integrimi më të thellë evropian. Diskutimet e sotme jo vetëm që do të reflektojnë mbi arritjet tona, por gjithashtu do të përshkruajnë rrugën për sfidat dhe mundësitë që na presin. Angazhimi ynë për reforma, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme nga Bashkimi Evropian, do të na shtyjë drejt vizionit tonë të përbashkët për një Evropë paqësore, të begatë dhe të integruar”, theksoi Kusari Lila.
Lukas Mandl, bashkëkryesues të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, në paraqitjen e tij bëri thirrje për zbatim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, ndërsa përkujtoi se Parlamenti Evropian ka kërkuar heqjen e masave ndaj Kosovës. Sipas tij, dialogu Kosovë-Serbi do të ketë kuptim vetëm kur të mbahet në frymën e mirëbesimit dhe të kompromisit për të arritur një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ai tha se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimeve që janë mbajtur me herët dhe se zhvillohet në një moment me rëndësi për Kosovën dhe BE-në.
“Nga takimi i marsit Kosova ka përjetuar dy ngjarje, dhuna në maj dhe sulmi terrorist në Banjskë. Përsëris thirrjen e PE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ftoj që të ketë implementim të plotë të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, pa vonesa. Theksoj që Parlamentit Evropian i vjen keq për masat që i janë bërë Kosovës dhe kërkon heqjen e tyre”, theksoi Mandl.
Duke marrë fjalën në takim, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se Republika e Kosovës i vlerëson lartë rezolutat dhe thirrjet e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës nga 5 shtetet mosnjohëse, për njohjen e progresit që Kosova ka arritur në reformat e thella politike dhe ekonomike, që ndërlidhen me integrimin tonë evropian, për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, për mirëpritjen e aplikimit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, për mbështetjen e aplikimit tonë në Këshillin e Evropës, për thirrjen ndaj Komisionit Evropian për largimin e masave restriktive, si dhe për dënimin e sulmit agresor e terrorist në Banjskë në termat më të ashpër.
Ai tha se Kosova i përket Bashkimit Evropian dhe po punohet secilën ditë që kjo të bëhet realitet sa më shpejt, jo vetëm si qëndrim politik, por edhe si qëndrim e vullnet i qytetarëve të vendit.
Edhe ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, bëri thirrje të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i konsideruar tragjikomike.
“Kemi dy programe të bashkëfinancuara dhe këto kanë për qëllim mbrojtjen e komuniteteve dhe forcimin dhe kam kërkuar nga z. Tomas dhe ju lus të bëni çmos t’i përjashtoni këto dy programe nga masat. Me këto masa po i godisni komunitetet, ju lus të bëni diçka për këto masa sepse nuk po mundemi të bëjmë diçka me programet”, theksoi Rashiq, duke shtuar se po bën çmos që serbët në katër komunat në veri të marrin pjesë në zgjedhje.
Shefja e Sektorit Politik, Ekonomik për Integrim Evropian, AnnaCarin Platon, duke folur në emër të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit për Punë të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë dhe në emër të Komisionit Evropian, rikonfirmoi bashkëpunimin mes BE-së dhe Kosovës, ndërsa shtoi se është e rëndësishme që Kosova të zbatojë reformat dhe të arrijë progres, duke përmendur një varg objektivash që duhet realizuar.
Takimi i komisionit vijoi me diskutimet e nënkryetarit Bahrim Shabani, deputetëve Fitore Pacolli Dalipi, Armend Muja dhe Eliza Hoxha, si dhe europarlamentarëve Thijs Reuten dhe Ladislav Ilçiq. Gjatë fjalimeve ata paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me progresin dhe sfidat në fushën e reformave të lidhura me integrimin në BE, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare./Arbresh.info/
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimi...
Parashikimi i motit për sot
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...